Bashkimi Evropian (BE) ka mirëpritur sot vendimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës për ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave përgjegjës, në mesin e tyre edhe Milan Radoiçiç, për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjska ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Afrim Bunjaku.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano, në një konferencë për media në Bruksel, ka thënë se janë duke pritur tashmë vendimin e gjykatës dhe se fajtorët duhet të mbahen përgjegjës.

Ai ka theksuar se BE në vazhdimësi ka përsëritur se sulmi në Banjska përbën eskalim të situatës dhe se është gjykata e Kosovës ajo e cila do të vendosë në lidhje me rastin. Ai ka folur edhe rreth mundësisë së ekstradimit të Radoiçiç në Kosovë, duke thënë se Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht.

Në përleshjet e armatosura që pasuan më 24 shtator 2023, u vranë edhe tre sulmues serbë. Pesë ditë pas ngjarjes, më 29 shtator, përgjegjësinë për sulmin e mori Radoiçiç, i cili prej vitesh është i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për krim të organizuar ndërkombëtar.

Në fund të vitit të kaluar, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, Interpoli lëshoi fletarrestim për Radoiçiç, i cili vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

/Kosovapress/