Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha të enjten se deputetët e opozitës janë duke përgatitur një draft ligjor përmes të cilit do të kërkohet t’u kthehen profesionistëve të lirë 10 milionë eurot që u morën nga taksa e vendosur në ngarkim të tyre, taksë kjo, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese.

Tabaku, gjatë fjalës së saj në Kuvend, gjatë distutimit mbi Aktin Normativ te qeverise per disa ndryshime ne Buxhetin e Shtetit, u shpreh se propozimet e qeverisë nuk sjellin asnjë ndryshim në jetën e qytetarëve.

“Sot nuk përbën lajm që buxheti po ndryshon. Por nuk përbën lajm as fakti se buxheti që po ndryshohet nuk sjell asgjë për shqiptarët”, tha Tabaku.

Ajo tha se rritja e të ardhurave në buxhet ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimeve, duke shtrenjtuar jetën e shqiptarëve. “Elementi i dytë është rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, që vjen për shkak të rritjes së çmimeve. Sërish nga xhepat e qytetarëve. Nuk besoj se ka as krenari, as mburrje me buxhetin e shtetit, kur çdo gjë që vjen në buxhet vjen jo si rezultat i luftës ndaj korrupsionit apo suksesit të mirë-administrimit, por nga taksat dhe çmimet më të larta”, tha Tabaku.

Deputetja e Partisë Demokratike u shpreh se skema e pensioneve ka dështuar. “Skema ka dështuar si rezultat i pensioneve më të ulëta dhe faktit që 400,000 shqiptarë janë larguar nga vendi, duke mos kontribuar më në skemën e pensioneve. Shqipëria po humb atë avantazh që kishte, rininë, duke u kthyer në një vend që paguan vetëm pensione”, theksoi Tabaku.

Ajo gjithashtu tha se fondi për Bujqësinë, një nga sektorët më të rëndësishëm në vend, është ulur me pothuajse 20%. Tabaku shtoi se “shqiptarët sot po jetojnë me paratë e emigrantëve, me remitancat. Një e katërta e familjeve shqiptare jetojnë me paratë e emigrantëve, atyre 400,000 shqiptarëve që janë larguar nga vendi. Nuk ka asgjë për t’u krenuar në këtë pikë. Këto para janë për mbijetesë dhe kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”.

Në fund, Tabaku tha se qeveria ka në fokus koncesionet dhe investimet në infrastrukturë, dhe jo qytetarët.

“Qershia mbi tortë është infrastruktura. Kudo ku janë rritur taksat dhe çmimet, kjo lidhet me infrastrukturën. Rriten çmimet për pensionistët, por nuk rriten pensionet. Rriten çmimet e konsumit për qytetarët, por nuk rriten pagat. Rriten çmimet e çimentos dhe betonit, dhe këtyre u rritet mbështetja”, tha Tabaku.

Deputetja e PD, u shpreh se ndryshimi i buxhetit nuk i përmbahet qëllimit për të cilin është propozuar.

“Arsyeja për ndryshimin e buxhetit erdhi për shkak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për profesionet e lira, dhe ato 10 milionë euro që u kanë marrë profesionistëve të lirë, dhe që nuk u kthehen. Ne do të sjellim një propozim ligjor për këtë çështje”, u shpreh Tabaku./ata