Janë 42 shtete amerikane, përfshirë Nju Jorkun, Kaliforninë, Koloradon, Kentakin, Misisipin, Nju Xhersin, Oregonin dhe Tenesin, të cilat kanë kërkuar futjen e një etikete që tregon mediat sociale si "të rrezikshme".

Sikur të ishin alkool apo cigare. Në Australi ka filluar të miratohet një ligj kundër dezinformatave që qarkullojnë në platforma: Për ata që i shkelin pritet të kenë gjoba deri në 5% të të ardhurave totale.

"Mediat sociale janë të lidhura me dëmtime të konsiderueshme për shëndetin mendor të adoleshentëve," deklaroi shefi i shëndetësisë në SHBA, Vivek H. Murthy vetëm në qershor.

Kjo ishte hera e parë që ai foli për projektligjin për mbrojtjen e adoleshentëve amerikanë nga ankthi dhe depresioni i shkaktuar nga përdorimi i mediave sociale.

Zuckerberg dhe dezinformimi në  Meta 

Ai që sigurisht nuk është pro këtij prezantimi është themeluesi i Meta-s, Mark Zuckerberg, i cili së fundmi ka dhënë një intervistë për një podcast ku ka deklaruar se “nuk dëshiron më të kërkojë falje” për akuzat për dezinformim të lidhur me platformat e tij.

Nga rasti i Cambridge Analytica deri tek ai i mbështetjes së fushatës zgjedhore të Donald Trump në 2016, problemet për Metën kanë qenë të ndryshme vitet e fundit. Aq sa Zuckerberg i shkroi një letër Dhomës amerikane të Përfaqësuesve në muajin gusht duke kërkuar falje për censurimin e dezinformatave rreth COVID-19 në 2020 pas presionit të marrë nga qeveria. Edhe pse, nga ana tjetër, kufizimet në llogarinë e Donald Trump, të aplikuara pas sulmit të Kongresit në vitin 2021, janë hequr në Facebook dhe Instagram.

Propozimi i Australisë
Telashet për mediat sociale duket se nuk kanë mbaruar, sepse parlamenti australian mund të miratojë një ligj kundër përmbajtjeve të rreme që qarkullojnë në mediat sociale.

Pas vendimit për caktimin e një moshe minimale për përdorimin e tyre (e cila duhet të jetë nga 14 deri në 16 vjeç), një tjetër bllokadë vjen për platformat. Vendosja e gjobave deri në 5% të të ardhurave globale të kompanive që e shkelin atë.

Legjislacioni synon të garantojë zgjedhje federale transparente (të planifikuara për vitin 2025), por edhe të shmangë problemet me shëndetin e qytetarëve, me qarkullimin e materialeve që mund të nxisin dhunë dhe urrejtje.

"Dezinformimi dhe keqinformimi përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë dhe mirëqenien e australianëve, si dhe demokracinë, shoqërinë dhe ekonominë tonë”, tha në një deklaratë Ministrja e Komunikimit Michelle Rowland.

Përpjekja e parë u bë për të miratuar një ligj të ngjashëm në vitin 2023, por procesi u ngec sepse i dha Autoritetit Australian të Komunikimeve dhe Mediave shumë fuqi për të përcaktuar se çfarë përbënte dezinformim dhe informacion I gabuar. Rowland, shpjegon Reuters, siguroi se versioni i ri do të mbrojë përmbajtjen profesionale, artistike dhe fetare. Për momentin si Meta ashtu edhe X nuk e kanë komentuar zyrtarisht lajmin. /Corriere della Sera