Autoritetet në Venezuelë kanë njoftuar arrestimin e tre qytetarëve amerikanë, dy spanjollëve dhe një çeku, të cilët sipas autoriteteve vendase janë përfshirë në një komplot për të destabilizuar vendin.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, deklaroi se janë konfiskuar qindra armë dhe se të arrestuarit po planifikonin të vrisnin presidentin Nicolás Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë.
Dy ditë më parë, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj 16 zyrtarëve venezuelianë që janë të lidhur ngushtë me presidentin Maduro, pas një fitoreje të diskutueshme në zgjedhje.
Qeveria e Venezuelës ka pretenduar se spanjollët e ndaluar janë të lidhur me Qendrën Kombëtare të Inteligjencës të Madridit (CNI). Megjithatë, burime nga qeveria spanjolle kanë mohuar këto akuzat dhe kanë informuar mediat lokale se dy individët nuk janë pjesë e kësaj organizate inteligjence.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur të shtunën, Cabello tha: “CIA është udhëheqësja e këtij operacioni, dhe kjo nuk na befason. Megjithatë, Qendra Kombëtare e Inteligjencës e Spanjës ka mbajtur gjithmonë një profil të ulët duke e ditur se CIA operon në këtë rajon. Të arrestuarit përfaqësojnë një grup mercenarësh që synojnë të sjellin në Venezuelë objektiva të qarta për të eliminuar Presidentin Nicolás Maduro, Zëvendës Presidenten Delcy Rodríguez, mua dhe një grup tjetër liderësh që drejtojnë partinë dhe revolucionin tonë.”/BalkanWeb