Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë, pa llogaritur inflacionin gjatë tremujorit të dytë të vitit 2024 shënoi rritje me 5.9%, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, raportoi INSTAT.

Në tregtinë me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve, volumi i shitjeve në tremujorin e dytë 2024 është 6.2 % më shumë se një vit më parë. Konkretisht, për grupin që përfshin “Ushqime, pije dhe duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”, volumi i shitjeve ka regjistruar një rritje prej 5.6%.

Në grupin” Artikuj jo-ushqimorë në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, është vënë re një rritje edhe më e lartë prej 6.8%. Ndërkohë, për “Tregtinë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, volumi i shitjeve ka shënuar një rritje prej 5.3%. Kjo është më pak se rritja e përgjithshme e tregtisë me pakicë, por tregon ende një kërkesë të qëndrueshme për karburante.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar sesi ndikuan grupet kryesore në rritjen e përgjithshme të  tregtisë me pakicë. Sipas të dhënave rezulton se grupi i “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara” ka qenë ndër më të ndjeshmit, duke kontribuar me 2.7pp në rritjen totale. Grupi i “Ushqime, pijeve dhe duhanit në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara” ka dhënë gjithashtu  një kontribut të konsiderueshëm prej 1.9 pikë pp. Ndërsa, “Tregtia me pakicë e hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara” ka kontribuar  me 1.3 pikë përqindje.

Nga ana tjetër, volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht, në grupin “Tregti me pakicë, pa përfshirë tregtinë me pakicë të hidrokarbureve në njësi tregtare të specializuara”, është rritur me 1.2 %. krahasuar me tremujorin paraardhës. Ndërkohë, në grupet kryesore krahasuar me tremujorin e parë 2024, ndryshimet janë si më poshtë:

Në grupin “Artikuj jo-ushqimore në njësi tregtare të specializuara dhe jo të specializuara”, shitjet janë  rritur me 1.2 %, më pas ndjek grupi “Ushqime, pije, duhan në njësi tregtare jo të specializuara dhe të specializuara”ku  volumi i shitjeve, përshtatur sezonalisht paraqitet  me një rritje prej  1.4 %.

Ndërsa, në grupin “Tregti me pakicë hidrokarbure në njësi tregtare të specializuara“, volumi i shitjeve, i përshtatur sezonalisht ka patur një rritje afërsisht 3 herë më të lartë se në  grupet e mësipërme. Konkretisht,rritja e volumit të shitjeve për këtë grup  gjatë tremujorit të dytë të vitit aktual përllogaritet 4.8 % më e lartë se në tremujorin e mëparshëm./Scan