Në të gjitha qarqet e Shqipërisë, tregu i sigurimeve vazhdon të dominohet nga jo-jeta. Nga totali prej 22.8 miliardë lekësh i primeve të shkruara bruto në të gjithë vendin, rreth 21 miliardë lekë ose gati 92% të shumës së përgjithshme e zënë sigurimet e jo-jetës, ndërsa 1.8 miliardë ose thuajse 8% të totalit të primeve e përbëjnë sigurimet e jetës.

Sigurimi i jetës së debitorit, i cili i referohet shlyerjes së detyrimit të huasë nëse kredimarrësi kryesor humb jetën gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë, zotëron vlerën më të lartë të primeve në kategorinë e sigurimit të jetës, konkretisht rreth 1.3 miliardë lekë. Ndërsa sigurimi i jetës i shoqëruar me një depozitë kursimi me përfitues të siguruarin ose familjarët e tij që mund të shërbejë si një përfitim në periudhën e pensionit, për shkollimin e fëmijëve e të tjera, është lloji i dytë më i preferuar i sgurimit me një shumë prej 125 milionë lekë primesh.

Megjithëse sigurimi i jetës me kursim ka më shumë prime se jeta dhe shëndeti në udhëtim, kjo e fundit ka një numër më të lartë kontratash. Konkretisht, në krye të listës për sa i përket numrit të kontratave qëndron sërish jeta e debitorit me 100 mijë, por e ndjekur nga sigurimi i jetës në grup me 12 mijë kontrata dhe ai i jetës dhe shëndetit në udhëtim me 11 mijë kontrata.

Por, a janë siguruar më tepër shqiptarët në dy vitet e fundit?

Nëse shohim tendencën e tregut të sigurimeve në dy vitet e fundit, mund të thuhet se qarku i Korçës ka pasur rritjen më të madhe në vlerën e primeve të shkruara bruto, një rritje me thuajse 24%, ndjekur më pas nga Vlora me 20%. Nga ana tjetër, dibranët janë të vetmit që kanë regjistruar një bilanc negativ, pasi po sigurohen gjithnjë e më pak. Qarku i Dibrës ka shënuar një rënie me 2.8% për sa i përket primeve të shkruara bruto të jo-jetës./Scan