Rei Manaj nuk ka mundur t’i gëzohet siç duhet golit të tij të parë në këtë sezon në kampionatin turk me fanellën e Sivaspor. Pak minuta pasi ai shënoi përballë Giaziantep në duelin e sotëm në kampionat, sulmuesi shqiptar la fushën e lojës për dëmtim.
Manaj bëri me shenjë nga stoli se kërkonte zëvendësim pasi ndjente dhimbje në pjesën e mbrapme të kofshës së djathtë. Kështu ai la fushën e lojës para fundit të pjesës së parë dhe iu nënshtrua menjëherë analizave të hollësishme nga stafi mjekësor.
Sipas “BeIN Sport”, Manaj ka pësuar një këputje në muskujt e mbrapme të kofshës. Nëse konfirmohet ky lajm, kjo do të nënkuptonte një periudhë e gjatë pushimi për futbollistin, që do ta linte atë larg fushave të lojës për disa javë si për Sivaspor, ashtu edhe për Kombëtaren kuqezi për ndeshjet e tetorit, pasi rikuperimi deri atëherë do të jetë i pamundur./Tema