Nuk ka kohë më të mirë për të qenë tifoz në Formula 1, pas një gare të jashtëzakonshme në çmimin e madh të Baku-t në Azerbajxhan, ku Oscar Piastri ka arritur t’i rrëmbejë fitoren monegaskut Charles Leclerc, në një garë të luftuar deri në fund.
Piloti i Ferrarit e nisi mjaft mirë garën, duke udhëhequr deri në pit stopin e parë, por duket se “mallkimi” i Baku-t do të vijojë edhe një vit për të. Leclerc është nisur nga vendi i parë në katër çmimet e fundit, por asnjëherë nuk ka mundut ta shkelë shkallën më të lartë të podiumit.
Piastri, pas ndërrimit të parë të gomave, u sul menjëherë mbrapa Leclercut me goma të reja dhe arriti ta kalojë në një “përgjumje” të kokëkuqes së monegaskut.
Gjatë gjithë pjesës së mbetur të garës Leclerc – dukshëm më i shpejtë – provoi ta parakalonte Piastrin, por pa mundur të kryejë manovrën vendimtare dhe duke mbetur i dyti, me goma thuajse të shpërbëra deri dy xhiro nga fundit.
Pikërisht këtu u zhvendos edhe vëmendja, pasi nga një duel në vend të parë, nisi një duel për vendin e dytë, me Perez të vënë pas Leclerc dhe shokun e ekipit të këtij të fundit, Carlos Sainz, i cili ndiqte shumë pranë.
Me goma të konsumuara, Leclerc e pati të vështirë të mbante pas Perezin dhe meksikani arriti ta kalonte për disa sekonda, vetëm për ta parë veten më pas të kaluar si nga Leclerc dhe nga Sainz në kthesën pasardhëse.
Në një ngjarje vendimtare për fatin e garës, Perez me një veprim thuajse “kamikaz” kapi gomën e pasme të Sainz dhe i nxorri të dy makinat jashtë gare.
Një vend i tretë në podium kështu iu la i lirë George Russell-it të Mercedes, i cili përfitoi nga manovra fatale e Perez.
“Nder” me manovrën Perez i bëri edhe Norrisit, i cili u nis i 15-i por e mbylli garën në vendin e katërt. Teksa, për veprimin, edhe Max Verstappen, shoku i ekipit të Perez, duhet ta falënderojë këtë të fundit, pasi nga vendi i shtatë do të renditet në vendin e pestë në fund të garës.
Më tej përfitojnë në radhitje edhe pilotët e tjerë si Alonso, Albon, Colapinto, Hamilton dhe Bearman, të cilët u futën në zonën e pikëve.
Ndërsa, McLaren, arriti tashmë që me daljen e Perez jashtë dhe me dy pilotë në katër vendet e para, të rrëmbejë vendin e parë të renditjes së konstruktorëve.
Në atë të pilotëve, Verstappen vijon të kryesojë, me Norris, Leclerc dhe Piastri, të cilët afrohen./Albanianpost