shtë inaguruar këtë të enjte ekspozita e famshme mbi jetën dhe karrierën e ish-futbollistit të madh italian, Paolo Rossi si dhe legjendave të futbollit botëror që kanë lënë gjurmë në memorien e futbolldashësve, një ekspozitë e mbështetur nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka përshëndeti hapjen e kësaj ekspozite edhe në Tiranë, pas sukseseve në Romë, Milano, Firence, Torino, Trento, Rimini, Bolonja, Beograd, Venecia dhe Zyrih.
Ai u shpreh se Paolo Rossi është një figurë futbolli që nuk shuhet kurrë dhe që ka motivuar shumë të rinj në rritjen e tyre sportive.
“Jemi me fat që kemi parë Paolo Rossin të luajë futboll, një sulmues tipik, një kontribues i madh i futbollit italian, i kombëtares italiane, sidomos me kulmin e tij në 1982, që ishte një nga kontribuesit kryesorë të fitores së titullit kampion të Italisë pas më shumë se 5 dekadash. Fitues i “Topit të Artë” e i “Këpucës së Artë” i ka dhënë kënaqësinë tifozëve italianë dhe jo vetëm atyre, ka motivuar dhe ka edukuar shumë breza më tej”, tha Duka.
Sipas tij, “Paolo Rossi është ndarë fizikisht nga jeta e tij, por jo emri e vepra e tij”.
“Kjo ekspozitë tregon që ai është i pavdekshëm dhe vazhdon të kontribuojë në botën e futbollit europian dhe në edukimin e brezave të rinj. Hapësirat e ekspozitës do të përshkruajnë në mënyrë kronologjike jo vetëm jetën dhe karrierën e Paolo Rossit, por të gjithë të apasionuarit pas futbollit do të kenë mundësinë që të shohin relike dhe sende personale që u përkasin personaliteteve më të mëdha të futbollit botëror”, shtoi ai.
Ndër të tjera, Presidenti Duka ftoi të gjithë të apasionuarit pas futbollit që të vizitojnë këtë ekspozitë të veçantë.
Në ceremoninë e zhvilluar pasditen e sotme në ambientet e Muzeut Kombëtar për çeljen e ekspozitës “Paolo Rossi, një djalë i artë dhe legjendat e futbollit” ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci, Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, bashkëshortja e Paolo Rossit, Federica Cappelletti, ish-trajneri Arrigo Sacchi, ish-futbollistët e famshëm Antonio Cabrini dhe Marco Tardelli, arbitri izraelit i gjysmëfinales së Botërorit 1982, Itali–Brazil, Abraham Klein si edhe personalitete të futbollit shqiptar si edhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme./ata