Pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1% në muajin tetor. Vendimi është miratuar nga Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe javën tjetër pritet të miratohet edhe në qeveri.
Burime nga Ministria e Ekonomisë pohojnë se inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga viti 2023 deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë.
Më shumë se 770 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, do të marrin shtesë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor. Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë e 137 milionë lekë.
Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.
Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022- gusht 2023.
Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve.
Burime për Report TV thonë se në fokus të reformës së re do të jenë pensionet rurale dhe ato të pjesshme, që do të kenë një rritje të konsiderueshme, dhe më pas do analizohen pensionet e tjera që konsiderohen të larta.
Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre, diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale, vitet e punës e deri tek vlera e kontributeve që paguhet gjatë viteve të punës./Shqiptarja