Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose deklaroi sot se, në 20 ditët e fundit ka pasur 2 raste të cenimit të sistemit të burgjeve me anë të droneve, teksa kërkoi dixhitalizimin e sistemit të perimetrit të jashtëm të IEVP-ve dhe sistemet me anti-dron për parandalimin e veprimtarisë së fundit të konstatuar nga punonjësit e sigurisë.

Në seancën dëgjimorë të zhvilluar në Komisionin për Sigurinë Kombëtare lidhur me raportimin vjetor të veprimtarisë së institucionit për vitin 2023, Qose tha se, “aktualisht në sistemin penitenciar, janë të akomoduar ose banorë të paraburgosur dhe të dënuar 5036 persona”.

Duke folur për punonjësit e sistemit të burgjeve, Qose tha se, “sistemi penitenciar ka punonjës 4524, nga të cilët 3434 janë punonjës me uniformë dhe 1090 janë punonjës civilë”.

Qose tha se, aktualisht vakanca në sistemin penitenciar janë 290.

“Duke rikujtuar dhe një konkurrim të fundit që është  bërë para disa ditësh janë shpallur fitues rreth 170 persona, kjo vakancë ulet”, u shpreh Qose.

Duke folur për problematikat kyçe të sistemit të burgjeve, Qose tha se, janë shtetasit me masë mjekësore të cilët janë të akomoduar në IEVP Lezhë.

“Aktualisht kemi 460 persona ose pacientë me masë mjekim të detyruar, ndërkohë që akomodimi dhe ambientet në këtë IEVP janë vetëm për 210 persona dhe për kategori pacientësh. Ne në IEVP Lezhë jemi në mbipopullim”, tha ai.

Qose tha se, Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve po komunikon me Ministrinë e Shëndetësisë për kalimin e këtij institucioni nën administrimin e MSHMS-së.

Një tjetër problematikë që evidentoi Qose është cenimi i sigurisë së sistemit penitenciar nga futja e sendeve dhe mjeteve fluturuese.

“Jo më larg se 20 ditët e fundit është konstatuar nga sistemi penitenciar dy herë cenimi i sigurisë nga mjete fluturuese. Një mjet i cili u konstatua dhe u bë ndalimi i tij ën IEVP Burrel, institucion i sigurisë së lartë. Dhe një rast tjetër në IEVP Peqin ku u arrit të konstatohej nga punonjësit e sigurisë një dron, i cili nuk u arrit të ndalohej, por u konstatuan sendet të cilat arritën të depërtonin në këto ambiente, të cilët ishin 2 aparate celularë, 8 fisha për kërkimin e telefonave, lëndë narkotike e dyshuar kanabis sativa dhe lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, u shpreh Qose.

Ai theksoi se, “është forma më e lehtë, në konceptin tim, futja e sendeve, në krahasim me çfarë mund të sjellë dëmtimi i futjes së sendeve të tjera nga këto pajisje fluturuese duke parë që tentativat e grupeve kriminale për të goditur veprimtarinë e grupeve rivale mund të ishte edhe një sasi eksplozivi e cila do të ishte fatale për sistemin penitenciar dhe për të dënuarit dhe të paraburgosurit. Fatmirësisht nuk kemi rast të konstatuar të tillë”.

Qose foli edhe për dixhitalizmin e sistemit penitenciar.

“Aktualisht pjesërisht kemi një dixhitalizim të sistemeve, por nevoja është maksimale për dixhitalizimin e sistemeve administrative, por dhe sistemeve të sigurisë, duke filluar nga sistemi i perimetrit i jashtëm të IEVP-ve edhe sistemet me anti-dron për parandalimin e veprimtarisë së fundit të konstatuar nga punonjësit e sigurisë”, tha Qose.

Drejtori Qose shtoi se, ka nevojë të ngutshme për dixhitalizimin e arkivës dhe dixhitalizimin e të gjithë veprimtarive të tjera administrative, duke filluar nga protokolli, administrimi i vendimeve, urdhrave, hyrje-daljeve etj.

Qose tha se, “një nga prioritetet e sistemit penitenciar dhe DPB do të mbetet përsëri kërkesa dhe nevoja për rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e sistemit penitenciar të cilët operojnë dhe derdhin kontributin e tyre çdo ditë në këtë institucion”.

Ndër arritjet, Qose renditi, rritjen e sigurisë në burgje dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore, përmirësimin e procedurave, bashkëpunimin institucional.

Ai theksoi se ka pasur vëmendje të shtuar në respektimin e të drejtave të njeriut me qëllim shmangien e rasteve të dhunës dhe keqtrajtimit dhe diskriminimin në institucionet e sistemit penitenciar.

Qose tha se, së fundi në burgun e Fierit dhe në burgun e Shkodrës në bashkëpunim me MSHMS është realizuar një check-up konstant sa i përket të dënuarve.

Sa i përket infrastrukturës, Qose u shpreh se është vënë në funksion të plotë godina e re në IEVP Pojskë.

“Një godinë e cila prej vitesh ndërtohej me fondet e qeverisë shqiptare, aktualisht është vënë në funksion. Një godinë e cila përfundoi me fondet e qeverisë shqiptare dhe u mobilua nga një fond i Mbretërisë së Bashkuar dhe nga një fond i Mbretërisë së Holandës. Aktualisht janë akomoduar 56 gra dhe vajza, të cilat janë në burgun e Pojskës”, tha ai.

Duke folur për personat që janë nën regjimin e posaçëm, Qose tha se, “aktualisht kemi 7 persona të cilët kanë kaluar në regjimin e posaçëm dhe janë të 7-të që kanë kaluar me kërkesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”.

“Kemi 22 kërkesa nga Drejtoria e Burgjeve, 7 janë miratuar, të tjerat janë në proces”, u shpreh ai./ata