Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, inspektoi sot punimet në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, ku po përfundon modernizimi i infrastrukturës spitalore.
Ky investim strategjik nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat, fëmijët dhe gratë shtatzëna, duke sjellë pajisje të teknologjisë së fundit dhe kushte moderne për stafin dhe pacientët.
Ky projekt përfshin zgjerimin dhe përmirësimin e kapaciteteve në disa njësi kyçe, si shërbimi i urgjencës, sallat e operacionit, sallat e lindjes dhe reanimacionit. Gjithashtu, qendra e dedikuar për gratë është pjesë e këtij modernizimi, duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe të sigurt për trajtimin e rasteve të ndërlikuara dhe urgjente.
Përveç përmirësimit të infrastrukturës, spitali po pajiset me aparatura mjekësore të teknologjisë më të avancuar për monitorim dhe trajtim, duke rritur kështu efikasitetin e ndërhyrjeve dhe ulur rrezikun e komplikacioneve gjatë procedurave mjekësore.
Ky investim nuk përmirëson vetëm shërbimet për pacientët, por krijon edhe kushte më të mira pune për stafin mjekësor, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe sigurinë e shërbimeve të ofruara.
Me përfundimin e kësaj faze të parë, Spitali “Mbretëresha Geraldinë” do të jetë një qendër lider në ofrimin e kujdesit obstetrik dhe gjinekologjik, duke siguruar standarde të larta për kujdesin shëndetësor në Shqipëri./ata