Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit dhe platformave virtuale, me qëllim evidentimin e veprimtarive të kundraligjshme kryesisht në fushën e krimeve kibernetike, konstatoi mesazhe të maskuara si ato të kompanisë Meta Platforms, drejt numrave të telefonit, për konfirmimin e të dhënave në rrjetin social Facebook, të lidhura me shërbimin Facebook Ads, (por jo vetëm).

Në këto mesazhe, sipas njoftimit të policisë, pretendohet verifikimi i llogarive në Facebook ose në të kundërt, llogaria do të mbyllet.

Mesazhet mashtruese kanë si synim orientimin e poseduesve të llogarive drejt linqeve mashtruese me qëllim marrjen në posedim të llogarive tëpersonave të mashtruar, në menyrë të padrejtë.

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë u bëri thirrje qytetarëve që nëse janë ose dyshojnë se mund të jenë prekur nga dërgimi i këtyre mesazheve, të paraqiten pranë zyrave të policisë, ndërsa i këshillon ata që të mos kryejnë asnjë veprim kundrejt këtyre mesazheve, të cilat mund të vijnë nga numra kryesisht të huaj./ata