Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “Shqipëria e së nesërmes do të jetë një destinacion turistik edhe për arkitekturën e re dhe bashkëkohore përmes veprave që po marrin jetë nga kjo lëvizje e madhe arkitektonike”.

Në Tiranë u çelën sot konkurset ndërkombëtare, ku 10 studio prestigjioze po paraqesin përpara jurisë projekt-idetë për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për krijimin e zyrave dhe shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.

Kryeministri vlerësoi armatën e arkitektëve të huaj të cilët, sipas tij, “janë një realitet i jashtëzakonshëm për Shqipërinë”.

“Për ne është një kënaqësi gjithmonë që këto sfida të mëdha të zhvillimit të jenë gjatë gjithë kohës të shoqëruara nga një prani gjithmonë e më domethënëse e arkitektëve ndërkombëtare. Sot në juri kemi kryetarin e jurisë Jose Selgas është edhe themelues i  studios Selgascano, një studio që njihet botërisht dhe që është aktive edhe në Shqipëri. Kemi një “new entry” Christian Kerez që është anëtar i jurisë dhe një arkitekt i mirënjohur për shtyrjen e kufijve të dizajnit dhe të arkitekturës dhe projekteve të tij, por që siç ndodh dhe çfarë ka ndodhur edhe më parë nuk është këtu vetëm thjeshtë për të gjykuar dhe për të ikur po është këtu për të qëndruar duke u bërë pjesë e armatës së arkitektëve që tanimë janë një realitet i jashtëzakonshëm për Shqipërinë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “janë mbi 60 arkitektë që njihen botërisht edhe që udhëheqin mendimin arkitektonik bashkëkohor”.

“Janë të përfshirë në këtë armatë dhe punojnë në Tiranë dhe zona të tjera të vendit bashkë me sipërmarrësit shqiptarë për t’i dhënë Shqipërisë projekte dhe vepra të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030”, tha Rama.

Rama tha se Shqipëria ka mundësi për të nesërmen si një vend që nuk do të jetë thjesht një destinacion për plazhet, natyrën e bukur, trashëgiminë kulturore e për të tjera, por do të jetë një destinacion edhe për arkitekturën e re dhe bashkëkohore.

Kryeministri theksoi se “këtu bëhet fjalë për projekte shumë ambicioze”.

“janë projekte masive në aspektin e eksperiencës dhe përfshirjes së shumë disiplinave që mblidhen rreth ndërtimit të projekteve të mëdha dhe këtu bëhet fjalë për vepra të cilat edhe bota më e përparuar ja beson arkitektëve më në zë”, shtoi Rama.

Kryeministri Rama, theksoi se ky është një moment fatlum për të gjithë arkitektët e rinj shqiptarë, sepse arkitektët ndërkombëtarë që janë këtu, të gjithë pa përjashtim punojnë dorë për dore me një studio lokale vendase./ata