Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu nga gjimnazi “Sami Frashëri” shpalli nisjen e procesit të përzgjedhjes së mësuesve që plotësojnë kriteret për dy rolet e reja që do të zbatohen në shkollat e vendit: Mësuesi Koordinator për Orientimin e Karrierës dhe ai i Sigurimit të Cilësisë në shkollë.
Këto pozicione të reja do të jenë shtylla kryesore për të mbështetur nxënësit në orientimin profesional dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
“Rolet e reja që kemi përfshirë këtë vit janë dy role të cilat menjëherë do të jetësohen duke përzgjedhur 640 mësues koordinatorë të vlerësimit të cilësisë së shkollës dhe koordinatorë të karrierës në të gjithë sistemin tonë arsimor. 4.635 nxënës janë regjistruar këtë vit në arsimin profesional, 10% më shumë se një vit më parë. Ky është një moment shumë vendimtar për sistemin arsimor, nëse do ta marrë këtë drejtim strategjik të orientimit të vazhdueshëm të nxënësve, jo vetëm për sistemin arsimor, por edhe për zhvillimin e karrierës që fillon që në arsimin e ciklit të ulët”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja Manastirliu u ndal te profili i Mësuesit Koordinator të Karrierës, i cili do të ketë një rol kyç në ndihmën për nxënësit që të bëjnë zgjedhje të informuara për të ardhmen e tyre akademike dhe profesionale.
“Mësuesi Koordinator i Karrierës do të punojë ngushtësisht me nxënësit, prindërit dhe stafin mësimor për t’i orientuar drejt arsimit të mesëm të përgjithshëm apo atij profesional, bazuar në prirjet dhe aftësitë e tyre. Janë 320 mësues që do të marrin rolin e koordinatorit të karrierës, duke siguruar cilësi dhe gjithë përfshirje në orientimin e nxënësve. Ndërkohë, 320 Mësues Koordinatorë të Cilësisë do të sigurojnë që shkollat të ruajnë dhe të përmirësojnë standardet e tyre të performancës. Ata do të ndihmojnë mësuesit në zhvillimin profesional dhe në garantimin e cilësisë së mësimdhënies, duke u shndërruar në mentorë për ta”, nënvizoi Manastirliu.
Sipas saj, këto nisma, ashtu si dhe investimet në infrastrukturë, janë pjesë e strategjisë së re për arsimin parauniversitar.
“Sot jemi në një moment ku, vetëm në ditën e parë të vitit të ri shkollor, kemi hapur 25 shkolla të reja, të rindërtuara dhe të rehabilituara. Dhe 40 kantiere që janë në proces dhe të tjera shkolla që planifikojmë t’i investojmë, në mënyrë që në të gjithë vendin, si në qytet ashtu edhe në fshat, të kemi të njëjtën infrastrukturë shkollore. Por ajo që është vërtet zemra e shkollës nuk janë vetëm muret dhe infrastruktura e objektit, janë mësuesit që mbajnë themelet e arsimit dhe edukimit. Dhe shtimi i roleve të reja brenda sistemit arsimor dhe profileve të reja të mësuesve, që do të jetë një vlerë e shtuar për mbështetjen e mëtejshme të nxënësve, të familjes dhe të shoqërisë”, përfundoi Ministrja Manastirliu./ata