Qytetet piktoreske në të gjithë Europën Qendrore janë përmbytur nga uji i pisët i përmbytjeve, pasi shirat e dendur të fundjavës i kthyen përrenjtë e qetë në lumenj të furishëm, që dëmtuan rëndë infrastrukturën.

Përmbytjet kanë vrarë të paktën 15 njerëz dhe kanë shkatërruar ndërtesa nga Austria në Rumani. Shkatërrimi vjen pas përmbytjeve në mbarë botën javën e kaluar, kur fshatra të tëra u mbuluan nga rreshjet dhe përmbytjet në Myanmar dhe gati 300 të burgosur u arratisën nga një burg i shembur në Nigeri, ku përmbytjet kanë prekur më shumë se 1 milion njerëz.

Shkencëtarët e klimës thonë se janë të shqetësuar nga dëmtimi, por nuk janë të befasuar nga intensiteti. “Rreshjet katastrofike, që godasin Europën qendrore, janë pikërisht ajo që presin shkencëtarët me ndryshimin e klimës,” tha Joyce Kimutai, nga Instituti Grantham i Imperial College në Londër.

Ajo tha se humbjet e jetës dhe dëmet në të gjithë Afrikën dhe Europën nënvizuan “sa pak është përgatitur bota për përmbytje të tilla”.

Shkencëtarët janë të kujdesshëm, kur ia atribuojnë shirat ekstreme ndikimit njerëzor, sepse shumë faktorë ndikojnë ciklin e ujit. Megjithëse është vërtetuar mirë se ajri më i nxehtë mund të mbajë më shumë lagështi, nëse ndodhin rrebeshe të dhunshme varet gjithashtu nga sasia e ujit të disponueshëm për të rënë.

Sonia Seneviratne, shkencëtare klimatike në ETH Zürich, tha se analizat e menjëhershme të përmbytjeve të Europës Qendrore sugjeruan se shumica e avujve të ujit vinte nga Deti i Zi dhe Deti Mesdhe, të cilët të dy janë bërë më të nxehtë, si rezultat i prishjes së kushteve klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke rezultuar në më shumë ujë që avullon në ajër.

Të dhënat e stacionit meteorologjik tregojnë se shpërthimet e reshjeve të shtatorit janë më të mëdhatë në Gjermani, Poloni, Austri, Republikën Çeke, Hungari dhe Sllovaki, që nga viti 1950, tha Kimutai.

Në Poloni, përmbytjet shkatërruan një urë dhe njerëzit braktisën shtëpitë e tyre, sipas mediave lokale. Në Republikën Çeke, helikopterët shpëtuan qytetarët e bllokuar nga ujërat. Në Austri, një zjarrfikës raportohet të ketë humbur jetën në përpjekjet e shpëtimit.

Në kryeqytetin austriak, Vjenë, i cili ka qenë shtëpia e konferencës më të madhe të motit dhe klimës në Europë që nga viti 2005, shiu përmbyti një autostradë dhe mbylli linjat e metrosë.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet varet nga sa mirë përgatiten komunitetet për shiun dhe reagojnë ndaj efekteve të tij. Shkencëtarët u kanë kërkuar qeverive të investojnë në përshtatjen ndaj ngjarjeve ekstreme të motit, përmes sistemeve të paralajmërimit të hershëm, infrastrukturës më elastike dhe skemave mbështetëse për viktimat, duke i dhënë fund gjithashtu mbështetjes së tyre në lëndët djegëse fosile.

“Është e qartë se edhe vendet shumë të zhvilluara nuk janë të sigurta nga ndryshimet klimatike,” tha Friederike Otto, shkencëtare klimatike në Institutin Grantham. “Për sa kohë, që bota djeg naftë, gaz dhe qymyr, reshjet e dendura dhe ngjarjet ekstreme të motit do të intensifikohen, duke e bërë planetin tonë një vend më të rrezikshëm dhe më të shtrenjtë për të jetuar.”/ The Guardian