Britania ka gjobitur TikTok me 15.9 milionë dollarë për shkeljen të ligjit, duke përfshirë përdorimin e të dhënave personale të fëmijëve nën moshën 13 vjeç, pa pëlqimin e prindërve.

 

Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO) informon se TikTok lejoi deri në 1.4 milionë fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar nën 13 vjeç që të përdorin platformën e saj në vitin 2020, edhe pse vendos 13 vjeç si moshën minimale për të krijuar një llogari personale.

 

ICO tha se shkeljet e të dhënave ndodhën midis muajit maj të vitit 2018 dhe korrikut të 2020, me aplikacionin kinez, ku ka rezultuar se nuk është bërë mjaftueshëm për të kontrolluar përdoruesit e platformës dhe për të larguar fëmijët e mitur që ishin përfshirë.

 

“Ka ligje në fuqi për të siguruar që fëmijët tanë të jenë po aq të sigurt në botën dixhitale sa janë në botën fizike. TikTok nuk iu përmbajt atyre ligjeve,” tha Komisioneri i Informacionit në Mbretërinë e Bashkuar John Edwards.

 

Të dhënat e fëmijëve mund të jenë përdorur për t’i gjurmuar dhe për t’i profilizuar, duke i paraqitur potencialisht me përmbajtje të dëmshme ose të papërshtatshme, shtoi ai.

 

Një zëdhënës i TikTok tha se kompania nuk ishte dakord me vendimin e ICO-së, por ishte e kënaqur që gjoba ishte ulur nga 27 milionë paund të mundshëm të përcaktuara nga ICO vitin e kaluar.

 

“Ne investojmë shumë për të ndihmuar që të mbajmë jashtë platformës fëmijë nën moshën 13 vjeç dhe ekipi ynë i sigurisë prej 40,000 personash punon gjatë gjithë kohës për të ndihmuar në mbajtjen e platformës të sigurt për komunitetin tonë,” tha zëdhënësi.

 

Gjoba e ICO-së pason lëvizjet e qeverive dhe institucioneve perëndimore në javët e fundit, përfshirë Britaninë, për të ndaluar përdorimin e TikTok në pajisjet zyrtare për shkak të shqetësimeve të sigurisë.