Zhvillimi i inteligjencës artificiale do të intensifikojë mungesën e pritshme të bakrit, që është vendimtar për tranzicionin e energjisë, sipas paralajmërimeve nga BHP (Broken Hill Propriety), kompania më e madhe e minierave në botë.
Drejtoresha Financiare e BHP tha për Financial Times se zgjerimi i qendrave të të dhënave dhe inteligjencës artificiale, që kërkon më shumë energji intensive, mund të rrisë kërkesën globale të bakrit me 3.4 milion ton në vit deri në vitin 2050.
“Sot, qendrat e të dhënave mbulojnë më pak se 1% të kërkesës për bakër, por kjo pritet të jetë 6 deri në 7% deri në vitin 2050,” tha Pant.
BHP parashikon që kërkesa globale për bakër do të rritet në 52.5 milionë tonë në vit deri në vitin 2050, nga 30.4 milionë tonë në vitin 2021, që përfaqëson një rritje prej 72%.
Teknologjia e re po riformulon sistemet e energjisë dhe kërkesën për mallra në mbarë botën. Bakri, një metal shumë përçues, përdoret në një sërë industrish dhe produktesh thelbësore për arritjen e objektivave në lidhje me emetimet zero, duke përfshirë kabllot e energjisë, automjetet elektrike dhe fermat diellore.
Qendrat e të dhënave, që strehojnë sistemet kompjuterike dhe komponentët e nevojshëm për përpunimin dhe ruajtjen e informacionit, pritet të intensifikojnë mungesën e bakrit ndërsa përshtaten për të akomoduar aplikimet e inteligjencës artificiale. Këto aplikime përdorin çipe me energji intensive dhe rrisin kërkesat e përgjithshme për elektricitet.
Bakri përdoret jo vetëm për të furnizuar me energji qendrat e të dhënave, por edhe për të lidhur procesorët brenda tyre. Gjithashtu gjen përdorim edhe në sistemet e ftohjes.
Por disa analistë paralajmërojnë se parashikimet për kërkesën e bakrit në qendrat e të dhënave mbeten të pasigurta. Kushtet aktuale të tregut pasqyrojnë këtë pasiguri. Kërkesa e dobët në Kinë, konsumatori më i madh në botë i bakrit, ka ndikuar në çmimet këtë vit. Bakri tregtohet me rreth 9,207 dollarë për ton, 15% më pak se kur arriti kulmin e vet në maj.
Pritet që tregu të mbetet në suficit këtë vit dhe vitin e ardhshëm për shkak të kërkesës së dobët. Megjithatë, kjo tendencë pritet të ndryshojë në fund të dekadës. Në gusht, BHP paralajmëroi se rritja e kërkesës “në fund të viteve 2020” mund të çojë në një regjim çmimesh të larta pasi kërkesa do të tejkalojë ofertën./Scan