Mbi 600 praktikantë kanë nisur sot Programin Kombëtar të Praktikave të Punës pranë institucioneve të administratës.

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, ndau në rrjete momente nga takimi me të rinjtë që i janë bashkuar ekipit të ministrisë për Rininë dhe Fëmijët, teksa i uroj atyre suksese në këtë përvojë të re pune, që u mundëson zgjerimin e aftësive të tyre profesionale.

“Me Emën, Palomën dhe Elsën për ti uruar fillimin e mbarë të praktikës së punës, dhe nëpërmjet tyre i uroj suksese edhe 600+ praktikantëve që kanë filluar Programin Kombëtar të Praktikave të Punës pranë institucioneve të administratës”, u shpreh Muzhaqi.

Ministrja tha se, “sot është dita kur të gjithë praktikantët fillojnë punën në administratën shtetërore dhe sigurisht që edhe ne, nuk mund të mos kishim praktikantë në ekipin tonë”.

“Ju jeni tre vajzat e para nga 32 të rinjtë që kanë aplikuar. Kjo do të thotë se keni qenë më të mirat tek fusha e drejtësisë, punëve sociale e deri tek programimi”, tha ajo, ndërsa shprehu bindjen se, përmes këtij programi, të rinjtë do të kenë mundësinë të integrohen më mirë në tregun e punës.

Vajzat u shprehën optimiste për këtë eksperiencë të parë që kanë nisur në tregun e punës. Njëra prej tyre ndau angazhimin që ka pasur në organizata të ndryshme vullnetare, teksa tha se “nuk e mendonte se do të përzgjidhej”.

Ndërsa vajza tjetër tregoi se testi kishte shumë pyetje dhe se asaj i pëlqen shumë të gjej përgjigjet.

Muzhaqi i uroj suksese vajzave në këtë angazhim të ri dhe i ftoi ato që të marrin maksimumin nga kjo eksperiencë e parë në administratën publike./ata