Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miratoi ndryshimet në ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë.

Projektligji në fjalë u prezantua nga deputetet nismëtare Etilda Gjonaj dhe Ermonela Felaj. E pranishme në Komision ishte zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Ana Kapaj dhe ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Entela Ramosaçaj.

Deputetja Etilda Gjonaj, gjatë fjalës së saj përpara anëtarëve të komisionit u shpreh se ndryshimet e propozuara në projektligj janë në përputhje me objektivat e parashikuara të nenit 59 të Kushtetutës.
“Interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore është mjaft i lartë, prandaj dhe dispozitat që përcillen janë hartuar në proporcion me nevojat e diktuara për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik, në zbatim të dispozitivit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Gjonaj.

Deputetja Ermonela Felaj, u shpreh se deri në vitin 2029 pritet që të mbushin moshën e pensionit 204 mjekë dhe për këtë arsye sistemi publik shëndetësor ka nëvojë për të paktën 565 mjekë të përgjithshëm.

Relatorja e çështjes, Lindita Buxheli, u shpreh se në këtë projektligj ulen afatet përkatësisht nga 5 në 3 vite për studentët e vitit të parë, nga 3 në 2 vite për studentët e vitit të dytë deri në vitin e katërt dhe në 1 vit për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë.
“Ndryshimet garantojnë plotësimin e nevojave për burime njerëzore për kryerjen e shërbimeve shëndetësore. Ndryshimet nuk cenojnë të drejtën për arsimim”, u shpreh Buxheli.

Opozita sërish e cilësoi të padrejtë mbajtjen e diplomës së studentëve për 3 vite.

Sipas tyre nuk është ky mekanizmi i duhur për t’i mbajtur të shërbejnë në vend./ata