Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula reagoi sot lidhur me hetimin ndaj kolegjit universitar “Wisdom”.
Sula u shpreh se, “8000 diploma false të lëshuara nga kolegji universitar “Wisdom” në Tiranë për shtetasit italianë tërhoqën vëmendjen e medias dhe të drejtësisë italiane”.
Sipas saj, “diplomimi i shtetasve italianë në Shqipëri shpreh agoninë e thellë që ka kapur majën institucionale të arsimit në vendin tonë – trafik diplomash edhe kur italianët nuk gjendeshin këtu e nuk merrnin pjesë në testime”.
“Sipas të dhënave, rezulton se mijëra italianë kanë dhënë e marrë provimet e fakultetit e janë pajisur me diploma të studimeve të larta universitare e tituj akademikë pa kaluar ndonjëherë përmes dyerve të universitetit”, tha më tej Sula.
Sula kërkoi nga Ministria e Arsimit dhe Sportit që të bëjë publike raportet e inspektimit që ka zhvilluar në këto 10 vite në këtë institucion./ata