Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali mori pjesë sot në forumin për Ukrainën i organizuar në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri.
Në forum ishin të pranishëm ishin z. Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i IHRFFA, Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi i Festivalit, Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri dhe z. Volodymyr Shkurov, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe i Plotfuqishëm i Ukrainës në Shqipëri dhe ambasadorë të disa vendeve të BE-së.
Në fjalën e saj Spiropali tha se, “Shqipëria është nga vendet e para që i është bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë dhe ka mbështetur të gjitha nismat e SHBA-së, BE-së, NATO-s dhe komunitetit ndërkombëtar në mbështetje të Ukrainës në të gjitha forumet dhe organizatat ndërkombëtare”.
“Mund të nënvizohet fort në këtë drejtim kontributi shqiptar si bashkëpenëmbajtëse me SHBA gjatë mandatit si anëtare jo e përhershme Këshillit të Sigurimit. Një detyrë e ushtruar gjatë viteve e2022-2023 me shumë dinjitet gjatë këtij mandati, ku së bashku me SHBA dhe aleatë të tjerë ishim pjesë e përpjekjeve të çmuara për mbështetjen e Ukrainës dhe dënimin e pushtetit rus, por edhe rimëkëmbjes dhe rindërtimit të saj”.
“Më 8 mars 2022 Kuvendi miratoi rezolutën për mbështetjen për Ukrainën dhe kërkoi ndalimin e pushtimit rus. Më 3 maj 2022 presidenti Zelensky iu drejtua ndërmjet një videomesazhi Kuvendit të Shqipërisë. Kuvendi mori gjithashtu pjesë, nëpërmjet një video-mesazhi përshëndetës në veprimtarinë “Përqafojmë Ukrainën”, organizuar më 21 Qershor 2022 në Amsterdam, bashkë me personalitete të larta politike, kulturore, artistike dhe aktivistë të njohur”, tha Spiropali.
Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “mbështetja jonë e vendosur për Ukrainën do të vazhdojë jo vetëm për çlirimin e saj e deri në çlirimin e saj, për mbrojtjen e sovranitetit dhe tërësisë territoriale, por edhe për sigurinë, kthimin e rendit ndërkombëtar për një paqe të drejtë dhe qëndrueshme dhe në rindërtimin e vendit”.
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut dhe në praninë e Ambasadës së Ukrainës, kryeparlamentarja rrëfeu disa nga momentet që ka përjetuar në udhëtimin e saj në Ukrainë, ndërsa tha se dokumentari ” Intercepted” -Të përgjuarit, është një dëshmi për luftën, e parë nga perspektiva të ndryshme, nga Ukraina dhe Rusia.
“Asnjë e vërtetë nuk vjen vetëm, përplasja e dy të vërtetave alternative që përjashtojnë njëra-tjetrën, ajo ukrainase dhe ruse në këtë rast, japin mundësinë që sekush, nga perspektiva e lirisë vetjake, të formulojë të vërtetën e tij. Kjo është forca e artit që dhe kur është kamera që fikson detajet ngjethëse të luftës, dëshmohet si një armë e plotfuqishme për të çliruar mendje dhe shpirtra njerëzorë. Siç thoshte dikur Kenedi i madh, amerikani nga Berlini i ndarë që i dha Gjermanisë, por dhe gjithë lindjes ish-komuniste një shpresë më shumë për të nesërmen. Që vërtet vonoi, por erdhi dhe për të. Sepse sado e errët të jetë nata ku udhëton një grusht njerëzish apo edhe një komb i tërë, sërish ka një mëngjes që e zbardh. Për t’u bashkuar me mrekullinë që sjell vetëm liria”.
Në forumin për Ukrainën, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri të pranishmit ndoqën edhe dokumentarin “Të përgjuarit” nga Oksana Karpovych./ata