Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, Shqipëria ka treguar angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Në fjalën e tij në Forumin për Ukrainën të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, Gonzato theksoi se, “Kuvendi i Shqipërisë është vendi ku qytetarët ushtrojnë të drejtat e tyre, është një hapësirë shumë e rëndësishëm për demokracinë dhe sundimin e ligjit. Parlamentet janë rojtarët e të drejtave të njeriut dhe të drejtësisë. Ofrojnë gjithashtu një forum ku dëgjohen zërat e qytetarëve dhe është vendi ku japin llogari ata që janë në pushtet”.
Gonzato falënderoi kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali që ka hapur dyert e Kuvendit për shfaqjen e dokumentarit “Të përgjuarit”.
“Parlamenti nën udhëheqjen tuaj dëshiron të jetë më i hapur, të ketë më shumë kujdes për pritshmëritë që kanë qytetarët dhe të jetë një vend dialogu”, tha Gonzato.
Duke kaluar tek tema e dokumentarit, Gonzato theksoi se, “ne e shikojmë që në kontekstin e konflikteve, si lufta në Ukrainë, roli i institucioneve demokratike për të ruajtur fort këto parime bëhet gjithnjë e më kritik”.
“Të përgjuarit është një dokumentar i guximshëm pasi flet pikërisht për pasojat morale dhe ligjore që sjellin krimet, por gjithashtu edhe shkatërrimin. Ne dëgjuam që tashëm kanë vdekur më shumë se 1 milionë vetë për shkak të këtij konflikti. Por na sjell në vëmendje edhe shkatërrimin me të cilin duhet të përballen qytetarët atje dhe pasojat që sjell ky lloj shkatërrimi. Me anën e telefonatave të përgjuara për ushtarët rus dhe familjet e tyre, ky film na tregon një dritare për makinerinë e luftës dhe na tregon dhe realitetin e krimeve të luftës dhe ndikimin dehumanizues që ka propaganda dhe dezinformimi”, u shpreh ambasadori Gonzato.
“Në një botë ku informacioni është kthyer në armë të fortë, parlamentet duhet të sigurojnë që ka ligje të cilat mbrojnë lirinë e fjalës, duke mbrojtur qytetarët dhe që të mos ketë shpërndarje të lajmeve të rreme, të urrejtjes, të diskriminimit dhe dhunës”, theksoi ai.
Ambasadori nënvizoi se, “lufta në Ukrainë është një sfidë e drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe fakti që ne kemi parë BE-në të bashkuar në një ndaj atij agresioni ka qenë një moment përkufizues për solidaritetin në Evropë, në këtë kontekst Shqipëria ka treguar angazhimin e saj të plotë për këto vlera të cilat ne i ndajmë dhe e kam parë personalisht këtë gjë në Nju Jork”, përfundoi Gonzato./ata