Juria ndërkombëtare zgjodhi studiot arkitekturore për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve për 4 zhvillime të reja, të cilat do t’i hapin rrugë një qasje të re për ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave të reja të shërbimeve bashkëkohore për administratën publike.
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se këto janë projektet fituese të të parit konkurs ndërkombëtar, ku shteti përmes Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), përfiton në rolin e pronarit.
Rama tha se janë katër projekte, të cilat do të hidhen në garë të hapur për ndërtimin me sipërmarrje të një kompleksi administrativ, për sistemimin e një numri të konsiderueshëm institucionesh publike, të kompleksit të ri të Kadastrës Shtetërore, si edhe të dy godinave multifunksionale.
Kjo sipas kryeministrit, kursen miliona euro në vit që shkojnë për zyra me qera e duke krijuar gjithashtu një platformë të re zhvillimi të pronës publike, sipas modeleve më të mira europiane, si edhe transformimit të infrastrukturës së shërbimit publik në funksion të Vizionit Shqipëria 2030.
Për grupin e parë për lotin 1, për strukturën administrative u zgjodhën studiot COLDEFY (Francë) dhe Snohetta, ndërsa për lotin e 2 u zgjodhën studiot ANDREA CAPUTO (Itali) dhe SO-IL (SHBA).
Për grupin e dytë për lotin një dhe dy u zgjodh e njëjta studio BAUKUH (Itali) dhe studio Snohetta (Norvegji).
Studiot pjesëmarrëse në konkurs për projektimin e godinave për administratën publike janë Andrea Caputo (Itali) dhe So-il (SHBA), Coldefy (Francë), Embt Architects (Spanjë), Snohetta (Norvegji), Zaha Hadid Architects (Britani e Madhe), Archi-Tectonics (SHBA), Architecture Studio (Francë), Baukuh (Itali), Cook Research (Britani e Madhe), Mad Office (SHBA)./ata