Pas kthimit nga emigracioni, Petro vendosi t’i përkushtohej bujqësisë, duke u shndërruar në një fermerë të suksesshëm në Mollaj, të Korçës. Ai kultivon produkte cilësore “Made in Albania” për tregun vendas e të huaj.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e fermerit. “Petro kultivon rreth 3 hektarë tokë me varietete të ndryshme të mollës, të cilat janë të njohura për cilësinë dhe shijen e tyre të veçantë, ndërsa një hektar tjetër ia ka dedikuar kultivimit të qershive”, shkroi Denaj .
Ministrja bëri të ditur se, “prodhimi i tij jo vetëm që i siguron familjes të ardhura të qëndrueshme, por gjithashtu kontribuon në ofertën e produkteve bio dhe të freskëta, duke pasuruar gamën e produkteve “Made in Albania”, për konsumatorët brenda dhe jashtë vendit”.
Ndërsa vetë Petro, tregon se e ka nisur këtë aktivitet që në vitin 1996.
“Në kulmin e investimit ne ngritëm edhe një magazinë grumbullimi, investuam shumë edhe në mekanikë bujqësore duke ngritur një investim të rëndësishëm në fushën e bujqësisë”, tha ai, teksa shprehet optimist për ecurinë e prodhimit dhe kërkesën e tregut për mollët nga ferma e tij./ata