Spitali Universitar i Traumës gjatë sezonit veror ka qëndruar gjithmonë gati për t’u ofruar kujdes mjekësor të specializuar shtetasve shqiptarë dhe të huaj që vizitojnë vendin tonë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot se “gjatë periudhës qershor-gusht, 260 shtetas të huaj kanë marrë shërbim mjekësor në këtë spital, duke përfshirë trajtime urgjente dhe ndërhyrje të specializuara”.

“Fokusi ynë është të garantojmë kujdes cilësor dhe të sigurt për çdo vizitor që has vështirësi shëndetësore gjatë pushimeve”, tha Koçiu.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se në periudhën qershor-gusht 2024 janë trajtuar gjithsej 17,000 pacientë, kryer 650 ndërhyrje operatore dhe 16,200 trajtime mjekësore .

“Së fundmi, një ndërhyrje e suksesshme është realizuar tek një foshnje 1 muajshe, e cila ndodhej me prindërit e saj për pushime në Shqipëri. Falë profesionalizmit të stafit tonë, foshnja tani gëzon shëndet të plotë”, tha Koçiu.

Në videon e publikuar nga Koçiu, Dr. Juan Cornet mjek në Spanjë tha se “kam ardhur në Shqipëri dhe kam vizituar Spitalin Universitar të Traumës. Realisht është një spital super i avancuar dhe mbi të gjitha personeli kanë qenë në gatishmëri për çdo gjë. Një ambient miqësor dhe mbi të gjitha në një nivel mjekësor profesional si të shteteve të zhvilluara . shpresoj që të na mbështesin edhe neve”./ata