Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant zhvilluan një bisedë telefonike ku diskutuan për zhvillimet e sigurisë rajonale.
Austin përsëriti "mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për Izraelin përballë kërcënimeve nga Irani, Hezbollahu libanez dhe partnerët e tjerë rajonalë të Iranit", tha në një deklaratë sekretari për media i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder.
Telefonata erdhi një ditë pasi të paktën 12 persona u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën në të gjithë Libanin kur shpërthyen pajisjet "pager" të përdorura nga grupi Hezbollah. Një seri e re e shpërthimeve të pajisjeve dje vrau të paktën 20 persona dhe plagosi më shumë se 450 të tjerë.
"Sekretari theksoi përkushtimin e SHBA-së për të frenuar kundërshtarët rajonalë dhe përpjekjet për të ulur tensionet në të gjithë rajonin", tha Ryder.
Ai tha se sekretari amerikan Austin ripohoi prioritetin e arritjes së një marrëveshjeje të armëpushimit në Gaza që do të sjellë në shtëpi pengjet e mbajtura nga grupi palestinez Hamas si dhe do të mundësojë zgjidhje të qëndrueshme diplomatike të konfliktit në kufirin Izrael-Liban që do të lejojë civilët nga të dyja palët të kthehen në shtëpitë e tyre.
Izraeli mbetet në gatishmëri të lartë në pritje të një përgjigjeje nga Hezbollahu.
Shpërthimi masiv i pajisjeve "pager" ndodh në kohën kur midis Hezbollahut dhe Izraelit ndodhin shkëmbime të sulmeve ndërkufitare në sfondin e një ofensive brutale izraelite në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 41.270 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar./aa