Në nder të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 44-vjeçare, u zhvilluan sot homazhe në ambientit e Kuvendit.
Miq, të afërm, familjarë kolegë dhe bashkëpunëtorë morën pjesë në homazhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-deputetit Bogdani.
Në homazhe morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ministra, deputetë nga mazhoranca dhe opozita, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, personalitete të artit si dhe nga shoqërisë civile.
Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, teksa zhvilloi homazhet në nder të ish deputetit, tha se Bogdani ishte njeri shumë i respektuar.
Begaj: Njeri me vlera të jashtëzakonshme morale dhe politike
Kreu i Shtetit Bajram Begaj në një prononcim për mediat, vlerësoi figurën e ish-deputetit. “Ishte njeri me vlera të jashtëzakonshme morale dhe politike. Ishte një njeri që pati një jetë aktive qoftë publike, qoftë politike”, tha Begaj.
Boçi: Zëri i tij, shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë politike të ndershme
Deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, pasi zhvilloi homazhet, u shpreh për mediat se “trishtimi dhe hidhërimi ynë dhe i familjes sonë politike është po kaq i madh edhe sa i familjes së tij, parajsës së tij. Gerti vërtet sot udhëton drejt parajsës, por me atë bindjen e madhe që ai dinte dhe kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël, në familjen e tij, në shoqërinë e tij”, u shpreh Boçi.
“Pse jo edhe te imponimi që sillte në Kuvendin e Shqipërisë si zë i fortë, me imponimin që sillte me zërin e tij në politikën shqiptare dhe me zërin e tij si njeri, shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë politike të ndershme dhe të përkushtuar siç e kishte Gerti Bogdani. Vërtet unë nuk e besoj ende, dhe të gjithë kolegët nuk e besojnë, ai do mbetet në kujtimet tona, ndoshta kujtimet nuk mjaftojnë dhe do donim që Gerti të ishte mes nesh, por ja që Zoti që bën shumë veprime të drejta, duket sikur sot na fut në atë meditimin se pse Gerti duhej të ikte kaq i ri dhe në kulmin e karrierës së tij politike dhe në kulmin e lumturisë së tij familjare”, tha Boçi.
“Por, fatet ndonjëherë janë të tilla dhe detyra jonë është që ta nderojmë, ta respektojmë, ta mbajmë gjithmonë gjallë kujtimin e tij. Lamtumirë Gert në emër të familjes sonë politike. Shumë ngushëllime për familjarët, për fëmijët e tij, për fëmijët e tij, për bashkëshorten e tij, për të dashurit e tij. Gerti do jetë gjithmonë pjesë e kumtimit dhe e kumtit politik të PD”, përfundoi Boçi
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Peleshi: Qytetar dhe politikan shembullor
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka përcjellë ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PD Gerti Bogdani. Ai tha se Gerti Bogdani ishte njeri dhe politikan shembullor.
“Humbje e parakohshme, në një moshë kaq të re është e dhimbshme për këdo edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe qytetar shembullor. Dhimbja shumëfishohet dhe dua që t’iu bashkoj të gjithë ngushëllimeve dhe dhimbjen që gjithkush e ndjen sot, dhe dhimbjen e të gjithë kolegëve tanë të grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, të cilët janë sot këtu për të përcjellë një mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera që do t’i mungojë padyshim familjes, miqve, por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për tu ndjekur. Ndaj ju falenderoj që më jepni mundësinë që të ndaj dhimbjen që ne sot të gjithë ndjejmë për këtë ikje të parakohshme, por kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë.”, u shpreh ai.
Meta: Gerti Bogdani, model i të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend, që dhanë kontributin e tyre në jetën publike
Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta mori pjesë homazhet në nderim të ish-deputetit të PD, dhe në një prononcim për mediat u shpreh se Gerti Bogdani, ishte model i të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend, që dhanë kontributin e tyre në jetën publike.
“Ishte e paimagjinueshme që sot, do të jepja dhe unë si shumë e shumë qytetarë të Tiranës dhe Shqipërisë, lamtumirën e fundit një personaliteti të njohur publik.
Nga një familje shumë e njohur dhe me shumë vlera, tradita të Tiranës. I cili ishte një model i të rinjve të shkolluar që u kthyen në vend, që dhanë kontributin e tyre në jetën publike. Që treguan aftësi në menaxhim, po kështu unë kam pasur kënaqësinë ta njoh edhe si Kryeparlamentar dhe në detyrën e deputetit, përveç edhe shumë raporteve të tjera, edhe shoqërore, edhe personale”, tha Meta .
“Është një moment shumë i rëndë për të gjithë, dhe kjo pjesëmarrje tregon tronditjen e opinionit për një ndarje kaq të befasueshme, dhe shokuese. Por, të gjithë janë këtu sepse, vlerësojnë kontributin e tij, veprat e mira, që ka lënë, modelin shumë të mirë, edhe kujtimet shumë të bukura dhe pozitive për të tërë. Jemi pranë familjes së tij në këto momente, shokëve, miqve, bashkëpunëtorëve. I përjetshëm kujtimi i Gertit!”, tha Meta.
Kuvendi ndërpret aktivitet, PD e shpall ditë zije Kombëtare
Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Kuvendi ndërpreu aktivitetet e saj, duke shtyrë edhe punimet e seancës plenare të parashikuara mëngjesin e sotëm për t’u mbajtur pasditen e sotme. Partia Demokratike, po ashtu e ka shpallur ditë zije, ditën e sotme, duke anuluar të gjitha aktivitetet në gjithë vendin.
Kush ishte Gerti Bogdani
Ish-deputeti Bogdani ndërroi jetë më 18 shtator 2024 për shkak të një arresti kardiak. Gerti ishte i martuar me aktivisten e njohur Edlira Çepani dhe la pas dy fëmijë, Ajrën dhe Reinartin.
I lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë, Bodgani pasi mbaroi shkollën e mesme “Harry Fultz”, me rezultate të shkëlqyera dhe ‘Medalje Ari’, vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të New York-ut, ku u diplomua me ‘Nderimet më të Larta’ (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award – ‘Medalje Ari’.
Rikthehet më pas në Shqipëri, duke e filluar karrierën e tij profesionale në fushën akademike në Universitetin e New Yorkut –Tiranë. Ai është themelues dhe drejtues i Rrjetit të Studentëve Shqiptarë në Botë.
Karrierën politike e fillon në vitin 2007, ai kandidon me Partinë Demokratike për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fiton.
Gjate kësaj kohe vazhdon edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, në moshën 29-vjeçare, Gerti Bogdani, kandidon në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe zgjidhet deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
Në vitin 2011 ai zgjidhet zv/president i “Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë” (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar.
Në shtator 2015 zgjidhet Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mban një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.
Pas vitesh angazhimi aktiv në strukturat drejtuese, në zgjedhjet e 2019, bëhet anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, me mbi 70% të votave.
Në 2022 garoi në primaret e PD-së për të qenë kandidat për garën e Tiranës./ata