Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja si dhe ministrja për Rininë, Bora Muzhaqi u takuan sot me me studentët e “Holberton School Albania”, të cilët me mbështetjen e Programit të Kodimit të qeverisë i bashkohen një anëtarësie globale ku bëhen pjesë integrale e një komuniteti mbarëbotëror zhvilluesish dhe punëdhënësish, duke punuar për kompanitë më të mira të softwereve.
Ministri Gonxhja theksoi rëndësinë e diplomës profesionale, ndërsa siguroi për mbështetje nga strukturat e qeverisë.
Sipas tij, të gjitha institucionet janë në një aleancë për një edukim sa më të mirë drejt profesionit.
“Duke iu referuar ofertave tona të punësimit do mundohemi të kemi një mentorim më të përqendruar dhe orientim më të mirë që të keni mundësi të bëni aplikime për të marrë financimi si biznes apo individ sepse bonuset do të jenë ende më të mëdha”, deklaroi ministri Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se do të përthithen opinione të ndryshme për të mund t’u reflektuar më pas në kurikulat arsimore, në mënyrë që shkolla të jetë më e kompletuar dhe atë që studentët mësojnë në kurset pas shkolle, t’i mësojnë që në shkolla.
“Ne duam që të jemi tregu i parë i punës për profesionistët. Ndaj dhe po punojmë me politika sociale, bonuse strehimi për çiftet e reja. Duam që sapo të mbaroni t’u presë një treg jo vetëm formal, por edhe atraktiv për të jetuar, në mënyrë që puna juaj të prodhojë vlerë të shtuar për ju dhe familjet tuaja. Jo si deri tani, ku familjarët marrin para nga ju, sepse nuk ju dalin pensionet, sepse nuk kemi ende një treg plotësisht formal”, tha Gonxhja.
Ministrja Muzhaqi u shpreh se deri tani janë mbi 1800 të rinj që kanë dalë nga ky program dhe janë diplomuar. Sipas saj, ata kanë pasur rezultate shumë të mira.
Ndërkohë, ajo theksoi edhe se vet bizneset po paraqesin interes për programet që mbështeten nga AKPA.
“Besoj se jemi gati për hapin e radhës atë të tërheqjes së investitorëve të huaj, pasi tashmë po përgatisim profesionistë të zotë“, deklaroi ajo./ata