Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha bëri të ditur sot se, 22 punonjës e ish-punonjës të Policisë Rrugore u vunë para përgjegjësisë ligjore falë një hetimi profesional të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Kukësit.
Në një reagim ministri u shpreh se, rritja e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, e cila vetë po kalon një proces ripërtëritje të trupës drejtuese, lidhet ngushtësisht me garantimin e integritetit të punonjësve të organizatës.
“Lufta kundër paligjshmërisë fitohet duke patur së pari, një trupë policore të aftë për t’iu përgjigjur sfidave të ndërtimit të Shqipërisë 2030, ndaj gjithë fokusi ynë do të jetë për ta intesifikuar këtë përpjekje”, theksoi ministri Hoxha.
Prokuroria Kukësit ka kërkuar masa sigurie për 22 punonjës së policisë së Shtetit, të cilët akuzohet se kanë përvetësuar 2 milionë lekë nga vjelja e gjobave për makinat me targa të huaja.
Masat e kërkuara në gjykatë janë Arrest në burg”, ‘Arrest në shtëpi’, ‘Pezullim nga detyra’ dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Hetimet i kanë vendosur këta 22 punonjës të Policisë së Shtetit, Seksioni i Qarkullimit Rrugor në autostradën Milot-Morinë nën akuzë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”.
Gjobat e vendosura për automjetet me targa të huaja, ishin vjelur në vend nga agjentët verifikues dhe shumat e parave nuk ishin arkëtuar, duke hedhur dyshime të arsyeshme të përvetësimit të tyre nga punonjësit e policisë që i kishin vendosur ato gjoba./ata