Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.
Në fjalën e saj Gjonaj tha se “ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj vijnë si reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 25 janar 2024 për ligjin “Për trajtimin e studentëve të mjekësisë”.
Gjonaj vuri në dukje ndryshimet e bëra duke iu përmbajtur, si u shpreh ajo, me përpikmëri vendimit të Gjykatës.
“Reduktimi i afateve– nga 5 vjet në 3 vjet për studentët e vitit të parë, nga 3 vjet në 2 vjet për studentët e vitit të dytë deri në të katërt dhe 1 vit për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë. Siguron që mjekët e rinj, pas përfundimit të studimeve dhe nënshkrimit të marrëveshjes sipas ligjit, të kenë prioritet për punësim në institucionet publike shëndetësore bazuar në notën mesatare”, u shpreh Gjonaj.
Sipas saj, në rast se nuk do të mund të punësohen as në sektorin publik dhe atë privat do të marrin 80% të pagës së një mjeku të përgjithshëm për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda 9 muajve në institucionet publike.
Gjonaj shpjegoi edhe përputhjen e ligjit me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohen, për të cilat ne si iniciatorë të këtij projektligji i kemi reflektuar ekzaktësisht në dispozitat dhe parashikimet ligjore që kanë ardhur në këtë projektligj”, nënvizoi Gjonaj.
E para, vijoi Gjonaj, lidhet me rishikimin e afateve të nenit 4 të ligjit me qëllim garantimin e parimit të proporcionalitetit të ndërhyrjes deri në një kufi jo më të gjatë se sa 3 vjet.
Relatorja shtoi se interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore është mjaft i lartë, prandaj dhe dispozitat që përcillen janë hartuar në proporcion me nevojat e diktuara për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik, në zbatim të dispozitivit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Diskutimet në Kuvend për ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë” rinisën pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë./ata