Kryeministri Edi Rama njoftoi sot çeljen së shpejti të ambasadës së Shqipërisë në Bosnjë Hercegovinë, ndërsa nënvizoi se interesi kombëtar i Shqipërisë është promovimi i paqes e bashkëpunimit rajonal.
Në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve të Shqipërisë, që po zhvillon punimet në Tiranë, Rama theksoi se “rajoni për ne është gjithmonë e më i rëndësishëm”.
“Për këtë arsye do të çelim së shpejti edhe dyert e ambasadës në Bosnjë Hercegovinë e për këtë arsye jemi përpjekur që të bëjmë zgjedhje sa më të përshtatshme të ambasadorëve në funksion të dinamizmit të mëtejshëm të marrëdhënieve me rajonin ku ne jemi shumë të qartë në pozicionin tonë, ne duam të promovojmë paqen, duam të promovojmë bashkëpunimin, duam të promovojmë rajonin si i tërë se ky është interesi ynë, ky është interesi ynë kombëtar”, shtoi ai.
Rama theksoi se “Shqipëria, ashtu si dhe vende të tjera të rajonit është shumë e vogël për të ofruar atë që mund të ofrojë nëse hapësira e saj ekonomike dhe tregtare është një hapësirë e integruar rajonalisht”.
“Kjo është shumë e thjeshtë dhe s’ka nevojë për shkencë për ta kuptuar dhe për këtë arsye na duhet të fuqizojmë sa të mundemi dhe të nxisim sa të mundemi çdo energji që e bën rajoni më bashkëpunues, më paqësor dhe më të ndejshëm ndaj të ardhmes dhe më pak të ndjeshëm ndaj të shkuarës”, tha ai.
Sipas kryeministrit,”leximi së ardhmes me sytë e së shkuarës është një lexim që ne nuk na takon, nuk është leximi ynë”.
Rama tha se “leximi ynë është leximi i së shkuarës me sytë e të ardhmes dhe kjo është qasja dhe kjo është pika kyçe mbi të cilën ne ngremë të gjitha marrëdhëniet dhe ndërveprimet me rajonin”.
“Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, duhet të bëjmë më shumë me Turqinë, duhet të bëjmë më shumë me Greqinë. Dua ta përgëzoj ambasadorin tonë në Athinë për transformimin e jashtëzakonshëm që i ka bërë shërbimit konsullor. Është një shërbim nga më të ngarkuarit për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve në Greqi. Natyrisht që ka nevojë për përmirësime të mëtejshme, por edhe ai atje në Athinë është një shembull që asgjë nuk mund të jetë jashtë mundësive tona, në rast se ne kemi vullnetin dhe kemi angazhime plot për t’u kujdesur si duhet për shqiptarët jashtë atdheut, aman nga ana tjetër në aspektin e volumit të investimeve dhe të volumit tregtar, sidomos me Turqinë dhe me Greqinë, ne mund të bëjmë shumë më tepër dhe duhet të përpiqemi të bëjmë shumë më tepër për aq sa na takon”, shtoi ai.
Hapësira e Bashkimit Europian, sipas kryeministrit, “është hapësira më natyrale për marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit, investimeve dhe kështu me radhë, por nuk duhet të harrohet se kemi miq dhe miqësi të mira nga të cilat në këto vite i kemi forcuar ndjeshëm dhe prej të cilave ne duhet të kërkojmë më shumë”.
“Në radhë të parë nga vetja, me Emiratet e Bashkuara, me Arabinë Saudite, me Azerbajxhanin që janë tre vende që ushqejnë ndjenja miqësore dhe që kanë interes për të forcuar marrëdhëniet me ne, dhe patjetër me Kuvajtin që është një mik nga kohët më të vjetra për shkaqe historike që i dini dhe me Katarin”,shtoi ai.
Nga ana tjetër, Rama nënvizoi se “kemi arsye të qenësishme jo vetëm për të besuar, por edhe për të investuar në hapjen e dyerve të misioneve tona të reja, si në Indonezi”.
“Me Indonezinë kemi vendosur një marrëdhënie që ka një potencial shumë të madh dhe mbi të gjitha që ka një interes shumë të madh për ne, ashtu si dhe marrëdhëniet me Filipinet, pasi të gjitha vendet e Bashkimit Europian sot, janë duke trokitur në ato dyer për forca të reja pune dhe kjo marrëdhënie shumë e rëndësishme, radha aty është shumë e gjatë, po duke qene një vend i vogël, nëse do të arrijmë të kultivojmë si duhet raportet që përcaktojnë në fund të fundit edhe shkallën e vëmendjes ndaj vendeve më të vogla, besoj që do të bëjmë kapërcime të radhës. Dhe po ashtu, në Afrikë jemi krejtësisht të munguar dhe po unë besoj që është e drejtë që të hapim derën e parë në Kenia. Na duhet për shumë arsye, por edhe në mos për të tjera, për një arsye të thjeshtë fare që është dhe detyra që ne kemi dhe roli që ne kemi për të mbështetur formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, shtoi ai./ata