Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila prezantoi sot në seancën plenare në Kuvend projektligjin “Për prodhimin organik, etiketimin e produkteve organike dhe kontrollin e tyre”.
Në fjalën e saj, Denaj u shpreh se, qëllimi kryesor në hartimin e këtij ligji së bashku me 30 akte nënligjore, është, jo vetëm përmirësimi dhe adresimi i problematikave aktuale të ligjit, por njëkohësisht një përafrim në kornizën e re ligjore të Bashkimit Evropian.
“Ky ligj përmirëson dispozitat aktuale, duke përcaktuar autoritetet kompetente për kontrollin zyrtar të produkteve organike në çdo fazë të zinxhirit. Miratimin e produkteve plehruese që përdoren në prodhimin organik dhe publikimin e tyre, për të informuar fermerët që angazhohen në prodhimin organik. Ngritjen e regjistrit të operatorëve organikë të përfshirë në të gjithë zinxhirin organikë. Përcaktimin e rregullave të importit dhe kontrollin e tyre. Si dhe përcaktimin e masave administrative për operatorët organikë për të përmbushur kërkesat e ligjit me qëllim mbrojtjen e përdorimit abuziv mashtrues të termave që i referohen metodës së prodhimit organik”, tha Denaj.
Ministrja u shpreh se, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por do t’i shtrijë efektet pas 2 viteve nga hyrja në fuqi për t’i lënë kohë subjekteve dhe autoriteteve të përshtaten me përcaktimet e tij.
Denaj nënvizoi se, dhe vetë vendeve të BE u është dashur 4 vjet pas miratimit për të realizuar të gjithë vëllimin e akteve nënligjore që përcakton ky ligj.
Ministrja u shpreh se, ligji do të ndihmojë, jo vetëm nxitjen e një prodhimi për tregjet evropiane, në momentin që Shqipëria akseson tregun e BE, por dhe për të interesuarit në këtë fushë do të krijojë mundësinë e më tepër sipërfaqeve hektarë për produkte organike dhe për të rritur eksportet./ata