Komisioni i Ekonomisë i hapi rrugë zbatimit të rregullave të reja preferenciale Pan-Euro-Mediteriane të Origjinës dhe rekomandimit në lidhje me përdorimin e certifikatave të qarkullimit të lëshuara në mënyrë elektronike.
Këto dy dokumente u miratuan në takimin e Komitetit të Përbashkët të Konventës Rajonale PEM, të datës 7 dhjetor 2023, që u mbajt në Bruksel.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Endrit Yzeiraj, i pranishëm në Komision, tha se tashmë është krijuar një set rregullash të uniformizuara për origjinën e mallrave, të cilat njihen nga të gjitha vendet.
“Kjo marrëveshje për vende si Shqipëria ka vlerë të konsiderueshme. E para lehtëson tregtinë nga vendi ynë drejt vendeve të tjera, por mbi të gjitha marrëveshja lehtëson dhe përmirëson ato që quhen rregullat e kumulimit, i cili është një proces që i lejon produkteve të ndryshme që janë krijuar në vende të ndryshme të marrin rregullin e origjinës nga një vend specifik dhe të përfitojnë nga kuotat preferenciale që ky vend ka”, u shpreh Yzeiraj.
Në të shkuarën, importi i lëndës së parë mund të konsiderohej e mjaftueshme që produkti të mos e merrte rregullin e origjinës, si i prodhuar nga Shqipëria.
Tashmë, falë kumulimit mund të konsiderohet një produkt i origjinuar nga Shqipëria dhe të eksportohet me tarifa preferenciale drejt BE-së.
“I lehtëson dhe u lejon bizneseve shqiptare të përfshihen në zinxhirin e vlerës industriale në nivel rajonal dhe kontinental”, tha Yzeiraj.
Po ashtu, përmes këtij projektligji uniformizohet certifikata elektronike e origjinës, të cilat tashmë njihen nga DPD.
“Shqipëria ka marrë angazhimin që tashmë të krijojë vet edhe procesin për lëshimin e certifikatave të origjinës për produktet eksportuese. Gjykojmë se kjo është një konventë që do të ketë një efekt të jashtëzakonshëm për eksportuesit shqiptar duke ju lehtësuar atyre një sërë procesesh dhe duke ju lehtësuar atyre përfshirjen në zinxhirët e vlerës ndërkombëtare”, tha zv/ministri.
Rregullat e origjinës janë në themel të marrëveshjeve të tregtisë së lirë që vendet firmosin me njëri-tjetrin.
Një marrëveshje tregtie e lirë krijon hapësira për tarifa preferenciale që vendet i lëshojnë njëri-tjetrit për produkte dhe shërbime që ato prodhojnë . Por që produktet e vendeve të përfitojnë nga këto tarifa duhet të provojnë që kanë origjinën e vendit në fjalë.
Në botën e sotme kjo është një çështje më e komplikuar se sa duket nga ana teknike, pasi shumica e produkteve, janë komplekse duke qenë se janë prodhuar në një vend dhe procese të ndryshme të vlerës së shtuar i janë shtuar në vende të ndryshme nga ai ku u prodhua, në kuadër të zinxhirit të vlerës së prodhimit.
Që do të thotë, nuk ka një proces relativisht të standardizuar që një produkt të marrë rregullin e origjinës së një vendi.
Rregullat e origjinës rregullohen me marrëveshje tregtare të vendeve apo përmes marrëveshjeve të blloqeve tregtare që vendet kanë me njëri-tjetrin
Për të krijuar një lloj uniformiteti me disa vende, Komisioni Europian ka nisur procesin e konventës rajonale Pan-Euro-Mesdhetare në të cilin Shqipëria është bërë pjesë fillimisht në 2012. Në këtë konventë bëjnë pjesë vendet e BE-së, EFTA-s, CEFTA-s dhe një grup vendesh të pellgut mesdhetar dhe të Afrikës Veriore.
Fillimisht këto vende kanë zhvilluar një sërë rregullash tranzitore të origjinës, të cilat Shqipëria ka filluar ti aplikojë në vitin 2015.
Ndërkohë ka vijuar puna me grupe teknike për të krijuar një set rregullash, të cilat do të njiheshin në mënyrë uniforme dhe të standardizuara nga të gjitha vendet. Në këtë proces Shqipëria është përfaqësuar nga DPD. Seti i rregullave u përfundua në vitin 2023./ata