Në bashkinë Kamzë dy qendra shëndetësore totalisht të rikonstruktuara ofrojnë kushte bashkëkohore për qytetarët.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau në rrjetet sociale pamje nga këto dy qendra.
“Qendra Shëndetësore e Bathores do të ofrojë shërbime të reja socio-shëndetësore për rreth 16,000 banorë të kësaj zone, ndërsa Qendra Shëndetësore e Paskuqanit do t’i shërbejë 10,000 banorëve”, tha Koçiu.
Me mbështetjen e buxhetit të shtetit, objektet e kujdesit parësor shëndetësor i janë nënshtruar rikonstruksionit tërësor duke mundësuar kështu kushte më të mira për mjekët dhe shërbim cilësor për qytetarët.
“Ristrukturimi i këtyre qendrave shëndetësore është pjesë e rehabilitimit të 60 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë Shqipërinë, si pjesë e programit për rehabilitimin e 400 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin, nga të cilat 60 vetëm në vitin 2023-2024”, theksoi Koçiu.
MSHMS vijon punën për rivitalizimin e infrastrukturës shëndetësore në të gjithë vendin./ata