Prokuroria e Posaçme nuk po i ndalon hetimet për asnjërin nga krerët e bashkive të akuzuar për korrupsion apo abuzim me detyrën. Pas Lefter Allës të Bulqizës, Vangjush Dakos të Durrësit, tashmë radhën për t’u paraqitur në SPAK e kishte Artur Bushi.

 

 

Kryebashkiaku i Krujës po jep dëshminë e tij para prokurorëve lidhur me një sërë padishë ndaj tij.

 

Mësohet se shtatë kallëzime penale janë depozituar në SPAK, ndaj kryebashkiakut të Krujës Artur Bushi. Vetëm dy prej këtyre denoncimeve po hetohen pasi për të tjerat SPAK ose ka vendosur shpalljen e mokompetencës, ose pushimin e hetimeve.

 

Megjithatë edhe në dy dosjet që janë ende nën hetim, Prokuroria po verifikon faktin pasi nuk ka shënuar emrin e kryebashkuakut në regjistrin e veprave penale.

 

Pavarësisht numrit të madh të padive penale emri i Artur Bushit, nuk është i regjistruar në regjistrin e procedimeve penale deri në këtë fazë, për asnjë prej denoncimeve. Prokuroria e Posaçme tregohet mjaft e rezervuar në dhënien e informacionit konkret lidhur me përmbajtjen e dosjeve apo edhe kush janë autorët e kallëzimeve ndaj Artur Bushit.

 

 

Ai u përfshi në politikën lokale pas kthimit në Shqipëri nga Italia, duke u zgjedhur kryetar i Komunës Thumanë, në vitin 2011. Dy vjet më pas, ai u bë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Socialiste, për deputet në qarkun e Durrësit dhe fitoi mandatin.

 

Në gusht 2015, ai u bë kryetar bashkie në Krujë ndërkohë që një investigim i BIRN po atë vit zbuloi se kandidati për kryebashkiak i Krujës ishte arrestuar në qershor 2010 nga policia italiane, i dyshuar për lidhjet me një organizatë të trafikut të kokainës.

 

 

Bushi u lirua një muaj e gjysmë më pas, ndërsa çështja kundër tij u pushua dhe u arkivua në vitin 2011 nga Prokuroria italiane.

 

Përveç kësaj çështjeje, Artur Bushi shënoi në formularin e dekriminalizimit edhe një ndalim të vitit 1996 në Caserta të Italisë, ku ishte liruar menjëherë pas një verifikimi.