Përdoruesit e veturave elektrike në Kosovë pritet të mos paguajnë taksë të regjistrimit, meqë nuk e ndotin ambientin. Ky lehtësim është paraparë të përfshihet në Projektligjin për automjete, për ndryshimet e të cilit u vendos në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të datës 28 gusht.
Nëse importojnë vetura elektrike, shoferët “do të kenë zero taksa të regjistrimit”, thanë shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës (MMPHI) - institucion ky që është duke punuar në ndryshimet në projektligj.
Në deklaratën e dërguar me shkrim, nuk saktësohet se për cilat taksa bëhet fjalë e as sa mund të jetë vlera financiare e tyre. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se në tre vjetët e fundit në Kosovë janë importuar 585 vetura elektrike.
Automjetet elektrike lëvizin nga një ose më shumë motorë elektrikë, që përdorin vetëm energjinë e ruajtur në bateri. Viteve të fundit, jo rrallëherë në Prishtinë has në kësi lloj veturash.
Ato i përdorin kryesisht kompanitë e taksive dhe bizneseve të tjera private. Për afaristët dhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, masat lehtësuese të paralajmëruara nga Qeveria, janë të pamjaftueshme. Sipas tyre, taksat e regjistrimit të veturave elektrike sillen nga 75 deri në 105 euro.
Aktualisht, importi i automjeteve elektrike është i njëjtë me importin e veturave me karburante të naftës apo benzinës. Nëse importohet një veturë qoftë me djegie të brendshme apo elektrike, duhet të paguajë doganë prej 10% të vlerës së makinës, si dhe tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) që është 18% e vlerës së produktit.
E, në rastet ku importohen vetura të përdorura, qoftë elektrike apo me naftë e benzinë, atyre u shtohet edhe taksa e akcizës, e cila zbatohet për produktet që nuk janë esenciale për jetesën e qytetarëve.
Në Doganën e Kosovës thonë se për veturat deri në tetë vjet të vjetra, duhet paguar 400 euro për copë; deri në nëntë vjet - 600 euro dhe deri në dhjetë vjet - 700 euro.
Pronarët duhet të paguajnë edhe taksat administrative, rrugore, ekologjike dhe komunale në Qendrat për Automjete, që funksionojnë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
MPB-ja nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa kushtojnë këto taksa. Pronari i një kompanie të sigurimeve, që kryen procedurat e regjistrimit të automjeteve për qytetarë, tregon për Radion Evropa e Lirë se “këto taksa kushtojnë 75 euro - plus tri euro shërbime bankare”.
E, nëse vetura regjistrohet për herë të parë në Kosovë, 20 euro duhet paguar për targa dhe 10 euro për librezën e veturës. Fidan Hallaqi, pronar i kompanisë së taksive, ETAXI, e cila operon me disa vetura elektrike, thotë se këto taksa nuk janë ndonjë barrë e madhe.
Sipas tij, blerja e veturave elektrike do të bëhej e leverdishme nëse do të hiqeshin taksa doganore dhe TVSH-ja. Hallaqi, i cili në vitin 2021 ka blerë 20 vetura elektrike për kompaninë e tij, thotë se do të shtonte numrin e tyre po të kishte lehtësira të tilla doganore.
“Mbi 280 mijë euro kam paguar vetëm taksë doganore dhe TVSH për 20 vetura. Kjo shumë është e lartë”, thotë ai.
“Këto vetura nuk lirojnë as gaz e as grimca në ajër gjatë lëvizjes dhe për këtë duhet të subvencionohen dhe jo të pengohen”, shton Hallaqi.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ndan mendim të ngjashëm.
“Kur qytetari blen një veturë mbi 20 mijë euro, e cila ruan ambientin”, heqja vetëm e taksës së regjistrimit “është qesharake”, sipas tij.
OEK, thotë ai, kërkon nga Qeveria e Kosovës që për veturat elektrike të hiqet taksa doganore dhe TVSH-ja, ose TVSH-ja të mos paguhet 18 për qind, por 8 për qind.
“Në këtë mënyrë do të stimuloheshin edhe qytetarët, edhe kompanitë private që të investonin në makina elektrike, rrjedhimisht në ruajtje të ambientit”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.
Në Koncept-dokumentin për fushën e automjeteve, të publikuar vitin e kaluar nga Ministria e Infrastrukturës, thuhet se favorizimi i makinave elektrike me zero taksa për regjistrim “ndikon në mbrojtjen e mjedisit dhe cilësisë së ajrit”
Në Strategjinë për Energjinë, ndërkaq, thuhet se deri në vitin 2031 pritet që numri i veturave elektrike në Kosovë të mbërrijë rreth 15.000. Ambientalistët thonë se transporti rrugor është një nga burimet më të mëdha të ndotjes së ajrit në Kosovë.
“Kontribuuesja më e madhe është industria prodhuese, pasuar nga ngrohjet individuale gjatë sezonit të dimrit dhe veturat me djegie të naftës dhe benzinës”, thotë Agron Bektashi, njohës i çështjeve të mjedisit dhe ish-drejtor i Qendrës Rajonale të Mjedisit, për Radion Evropa e Lirë.
Për të përmirësuar cilësinë e ajrit, e cila përkeqësohet gjatë çdo sezoni dimëror, ai thotë se Qeveria duhet të gjejë buxhet që t’i subvencionojë veturat elektrike. Për këtë qëllim, edhe disa banka komerciale në Kosovë, ashtu si edhe Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KESCO) kanë futur në përdorim veturat elektrike.
Në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, KESCO ka vendosur edhe prizat për mbushje të këtyre veturave. Derisa në Kosovë vazhdon puna në Projektligjin për automjete, disa vende të rajonit kanë filluar tashmë prej vitesh zbatimin e masave lehtësuese për veturat elektrike.
Shqipëria, për shembull, ka marrë vendim qysh në vitin 2020 që ta heqë pagesën e TVSH-së për këto vetura. Në shtetet e Bashkimit Evropian, ndërkaq, përdorimi dhe adoptimi i automjeteve elektrike po vazhdon me ritëm të shpejtë.
Në vitin 2023, 1.5 milion makina elektrike u regjistruan për herë të parë në BE, duke e çuar numrin total në 4.5 milionë. Shifra paraqet 48.5% rritje krahasuar me vitin 2022, sipas të dhënave të agjencisë së statistikave, Eurostat. / REL