Prej me shume se 50 vitesh, mengjesi nis njesoj per 77 vjecarin vlonjat Brahim Tahiraj.
77-vjeçari Brahim Tahiraj nuk i reziston asnjë ditë zakonit që të jetë mes gumëzhimës së bletëve për t’i shërbyer.
“Unë vij pothuajse çdo mëngjes, ngaqë nuk rri dot në shtëpi. E kam qejf këtë punë, edhe vij kam apo skam punë unë do shikoj diçka do ketë nevojë ndonjë bletë për shërbim, qoftë për pastrim apo diçka tjetër”.
Mbarështimi i bletëve për Brahimin ka qenë një mundësi dhe burim i domosdoshëm për të rritur fëmijët, por sot edhe pse ata janë rritur e larguar nga vendlindja, pasioni i tij vazhdon i njëjti si prej dekadash me të njëjtin përkushtim e dashuri, për të ruajtur traditën.
I moshuari nga Amonica e Vlorës sot nuk është shumë i kënaqur nga prodhimi që merr nga bletët, pasi sipas tij kullota ka ndryshuar dhe sasia e mjaltit është shumë pak krahasuar me atë të viteve më parë.
“Më përpara i kishim primitive me ndryshimin e kohës i kthyem pastaj në modern. Me atë sistem kishim 30-40 koshere i mbanim te avllia te shtëpia, pastaj i shtuam 150. Nuk japin ndonjë mjaltë kush e di, tani sa për fëmijët e për të shitur tek ndonjë mik sa për të heq këto shpenzimet. Më herët bleta vilej 3-4 herë në vit, tani mezi e vjel 1 herë sepse nuk ka kullotë”.
Pavarësisht moshës për 77 vjeçarin kjo punë e përditshme nuk e lodh.
“Sot po u bëj kurën ndaj këtyre sëmundjeve të kohës, siç është paraliza. Është herë e tretë, që duhet tua bëj për 7 ditë. Nuk të lodh, më shumë të mërzit kur stë jep prodhim. Nuk të mundon, se më mirë këtu se më çlodh sesa të rrija në shtëpi”.
“Bletaria është mirë ti shtegtosh, mirëpo ngaqë ne nuk kemi mundësi se jam vetëm unë me bashkëshorten se fëmijët janë larguar”.
Brahimi ndihet i kënaqur nga subvencionimi i shtetit, ndërsa shëprblimin për të gjithë punën e merr nga fjalët e mira të klientëve
“10 mijë lek subvencion nga shteti na ndihmon ajo pagesë, qoftë për këto ilaçet. Tani që s’na japin as prodhim, na ndihmon shumë kjo”.
“15 deri në 20 mijë lekë kg. unë kam shumë kërkesa e nuk dal dot nga shtëpia sepse e njohën mjalitin e morën për fëmijët në kurbet. Ai të jep lekët, mjalti duhet mjaltë, sepse dikush e do për hall e dikush për qef”./Shqiptarja