Numri i të huajve që zgjedhin të jetojnë dhe punojnë në vendin tonë është një trend që rritet dhe këtë e tregojnë dhe shifrat konkrete.

Mbi 18 mijë të huaj jetojnë në Shqipëri dhe sipas INSTAT,  gjysma e rezidentëve punojnë këtu. Kryesojnë shtetasit nga Italia, Kosova dhe Turqia. Në vitin 2022 numëroheshin mbi 8000 aplikime për punësim nga të huajt, ndërkohë që vetëm në 6-mujorin e parë të vitit kishte mbi 5000 kërkesa për punësim. Ndërkaq, mes të huajve ka edhe emigrant nga Siria apo Afganistani, të paregjistruar.

Gazetarja Aurora Golemi ka intervistuar për News 24  një 36-vjeçare nga Turqia, e cila jeton dhe punon prej 9 muajsh në Tiranë.

“Unë jam Burcu, jam 36-vjeçe dhe vij nga Turqia. Pse jam këtu? Kam ardhur për arsye pune, fitova një punë në një kompani private. Puna ime është menaxhere sigurimesh. U transferova në Tiranë 9 muaj më parë, por dua të them se e kam vizituar këtë qytete 8 vite më parë gjatë një turi ballkanik. Shqipëria është një vend i bukur, i këndshëm. Nuk kam përjetuar ‘shok’ kulturor për shkak edhe të pikë takimeve historike  dhe kulturore që kanë dy popujt tanë. Njerëzit janë të sjellshëm, kur kërkoj sqarime p.sh. në kafe ose restorante më ndihmojnë. Kam mësuar disa fjalë në gjuhën shqipe dhe kam dëshirë të mësoj më shumë. Shqiptarët janë një popull protektiv që mbrojnë vendin e tyre.

Kur krahasoj shpenzimet me Turqinë, është më lirë në Tiranë, p.sh. e shoh në zonën ku kam zyrën. Por, doja të veçoja qiratë, të cilat janë më të larta”, u shpreh Kurtsatar  për News24.