Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Hoxha, në një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë Kombëtare të kërkuar nga deputetët e grupit parlamentar të Partisë Demokratike dha informacione lidhur me gjendjen e rendit në vend.
Hoxha solli në vëmendje disa tregues që dëshmojnë se rendi dhe siguria në vend është në parametra optimalë dhe se tashmë krahasimi bëhet me vendet anëtare të Bashkimit Europian.
“Shqipëria, edhe këtë vit, po vijon me trendin rritës të numrit të turistëve. Shifra e 10 milionë turistëve është tejkaluar nën sloganin “Safe Stay in Albania”, lançuar para fillimit të sezonit turistik. Falë angazhimit dhe kontributit të madh të Policisë së Shtetit, për të dytin vit radhazi, kemi pasur një sezon me zero ngjarje kriminale me pushues të huaj”, tha ai.
Ministri theksoi se numri i automjeteve që kanë hyrë dhe dalë nga Shqipëria arriti në 7.2 milionë, ndërsa numri i jetëve të humbura nga aksidentet është ulur me 17%, ose e thënë ndryshe, 21 jetë të shpëtuara më shumë se viti i kaluar.
Duke dhënë informacion për ngjarjet e rënda kriminale të ndodhura gjatë verës, ministri Hoxha pohoi se është e vërtetë që në muajin gusht të këtij viti pati një rritje të veprës penale “vrasje”, krahasuar me muajt e tjerë.
Por, sipas tij, “në analizë të treguesve të 8-mujorit jemi pothuaj në të njëjtat parametra me vitin e kaluar, që ka shënuar numrin më të ulët të vrasjeve në 3 dekadat e fundit”.
“Përgjatë periudhës korrik-gusht 2024 kanë ndodhur gjithsej 12 vrasje, nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje. Kjo padyshim është dëshmi e një pune të mirë të strukturave të policisë”, shtoi ai.
Për sa i takon vitit 2024, Hoxha theksoi se janë regjistruar 28 vrasje, nga 35 që ka pasur përgjatë vitit 2023.
Lidhur me arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë, Hoxha u shpreh se krahasuar me një vit më parë kjo shifër është më e lartë, si për ata të shpallur në kërkim kombëtar, dhe për ata në kërkim ndërkombëtar.
“Më konkretisht, për personat në kërkim kombëtar, gjatë periudhës janar-gusht 2024, janë kapur 209 persona më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose e thënë ndryshe 17% më shumë. Për personat në kërkim ndërkombëtar, gjatë periudhës janar-gusht 2024 janë kapur 61 më shumë se vitin e kaluar, ose 43% më shumë”, shtoi ai.
Ministri vlerësoi se kapja e personave në kërkim ndërkombëtar është rezultat edhe i bashkëpunimit të shkëlqyer me policitë e vendeve partnere dhe organizmave të tillë, si Interpol dhe Europol.
“Vetëm gjatë këtij viti, Policia e Shtetit është e përfshirë në rreth 20 skuadra të përbashkëta hetimore dhe në 81 operacione policore me homologet e vendeve të BE-së dhe më gjerë”, shtoi ai.
Duke u ndalur te procesi për përzgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ministri theksoi se në përfundim të afatit ligjor, janë 15 aplikantë që kanë shprehur interes.
“Komisioni rendit kandidatët sipas pikëve të marra duke filluar nga kandidati që ka marrë më shumë pikë. Në rastet kur kandidatët kanë pikë të barabarta, ata do të listohen në bazë të vjetërsisë në profesion dhe përvojës profesionale”, shtoi ai.
“Në përfundim të renditjes, ministri i propozon Kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë. Propozimi shoqërohet me një relacion, i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan, si dhe arsyet për kandidatin e propozuar për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, sqaroi më tej Hoxha lidhur me procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit./ata