Libani ka bërë të ditur se do të hap shkolla dhe institute për të akomoduar civilët e zhvendosur nga sulmet ajrore izraelite në jug të vendit.
Ministri libanez i Punëve të Brendshme, Bassam Mawlawi, tha se ai i udhëzoi guvernatorët që të bashkëpunojnë plotësisht me evakuimin masiv nga rajonet jugore. Ai shtoi se shkollat dhe institutet do të përdoren si strehimore për të garantuar sigurinë e qytetarëve libanezë.
Sot herët, ministri libanez i Arsimit, Abbas Halabi, njoftoi pezullimin dyditor të mësimit në shkollat në Libanin jugor pasi mijëra njerëz u larguan nga shtëpitë e tyre pas sulmeve izraelite.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, të paktën 182 njerëz u vranë dhe 727 të tjerë janë plagosur në sulmet masive ajrore izraelite që shënjestronin disa zona në Liban që nga mëngjesi i sotëm.
Ushtria izraelite tha se ka nisur mbi 300 sulme ajrore në Liban që herët në mëngjes, gjë që shënon bombardimin më të rëndë që nga fillimi i armiqësive më 8 tetor të vitit të kaluar.
Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur pas një sulmi ajror vdekjeprurës të premten e kaluar në periferinë jugore të kryeqytetit Bejrut, që vrau të paktën 45 persona, përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Hezbollahu konfirmoi se të paktën 16 anëtarë të tij, përfshirë udhëheqësin e lartë, Ibrahim Aqil dhe komandantin e lartë, Ahmed Wahbi, u vranë në sulmin izraelit.
Sulmi i të premtes erdhi dy ditë pasi të paktën 37 persona u vranë dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën në dy valë shpërthimesh të njëkohshme të pajisjeve të komunikimit ‘pager’ anembanë Libanit. Derisa qeveria libaneze dhe Hezbollahu fajësojnë Izraelin për shpërthimet, Tel Avivi nuk e ka mohuar apo konfirmuar përfshirjen e tij.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar./aa