Türkiye ka dënuar sulmet e fundit të Izraelit në Liban pasi sulmet ajrore izraelite të ditës së sotme vranë qindra njerëz dhe plagosën mbi 1 mijë të tjerë.

Ministria e Punëve të Jashtme e Türkiyes theksoi se sulmet e Izraelit ndaj Libanit shënojnë “një fazë të re në përpjekjet për të tërhequr gjithë rajonin në kaos”.

“Vendet që mbështesin pa kushte Izraelin, po ndihmojnë Netanyahun të derdhë gjak për interesat e tij politike”, tha ministria turke.

Në reagimin e ministrisë turke u bëhet thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar, që të marrin masa të nevojshme pa vonesë.

Ministri libanez i Shëndetësisë, Firas Abiad, njoftoi se të paktën 356 persona janë vranë dhe 1.246 të tjerë janë plagosur në sulmet intensive ajrore izraelite që shënjestronin disa zona në Liban që nga mëngjesi i sotëm.

Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur pas një sulmi ajror vdekjeprurës të premten e kaluar në periferinë jugore të kryeqytetit Bejrut, që vrau të paktën 45 persona, përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë.

Hezbollahu konfirmoi se të paktën 16 anëtarë të tij, përfshirë udhëheqësin e lartë, Ibrahim Aqil dhe komandantin e lartë, Ahmed Wahbi, u vranë në sulmin izraelit.

Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar./aa