Agjencia Anadolu (AA), e cila krijoi për herë të parë në Türkiye Drejtorinë e Lajmeve Mjedisore, nis projektin "GreenLens: Environmental and Climate Journalism Training (Trajnimi i Gazetarisë Mjedisore dhe Klimatike)", i cili përfshin trajnimin e punonjësve të medias ose njerëzve të trajnuar në këtë fushë për çështjet e mjedisit dhe klimës.

"GreenLens: Environmental and Climate Journalism Training", një projekt Erasmus+ KA220-YOU (Bashkëpunimi Strategjik në Fushën e Rinisë) i përgatitur nga AA dhe dorëzuar në Agjencinë Kombëtare Turke, do të ofrojë trajnime për gazetarët e rinj dhe profesionistët e medias mbi çështjet mjedisore dhe ndryshimet e klimës.

Në projektin e koordinuar nga AA do të kontribuojnë Qendra Kombëtare Kërkimore e Universitetit të Ankarasë për të Drejtën Detare, Jeunesse (Francë), Instituti POLIS (Maqedoni e Veriut) dhe EDITURA ERUYSAL SRL (Rumani).

"GreenLens" është projekti i parë i Bashkimit Evropian (BE) i aplikuar nga AA dhe është ndër 8 projektet e pranuara mes më shumë se 1.000 aplikimeve. Nën drejtimin e AA-së për herë të parë në mbarë botën do të kryhet trajnimi i gazetarëve për mjedisin nga një agjenci lajmesh.

Projekti synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të rrisë njohuritë e publikut për ndryshimet klimatike, qëndrueshmërinë dhe mbrojtjen e mjedisit duke ofruar trajnime për 100 anëtarë të medias, 50 gra dhe 50 burra me banim në Rumani, Maqedoni të Veriut dhe Francë.

Kryetari i Bordit dhe Drejtor i Përgjithshëm i AA-së, Serdar Karagöz lidhur me këtë temë deklaroi:

"Gazetaria duhet të mbështetet nga një infrastrukturë e fortë arsimore si dhe nga përvoja e fituar në këtë fushë. Thellimi dhe specializimi në një fushë është elementi themelor që bën një ndryshim real në profesionin tonë. Me mjedisin dhe platformën tonë të gazetarisë klimatike 'Yeşilhat' dhe në projektin tonë të ri 'GreenLens' do të marrin pjesë pjesëmarrës nga Rumania, Maqedonia (e Veriut) dhe Franca. Ne synojmë të ofrojmë kompetencë në këtë fushë për 100 gazetarë dhe studentë".

Ai tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që gazetarët tanë të jenë të pajisur për këto çështje për zhvillimin e profesionit të gazetarisë dhe përgjegjësinë tonë për të informuar saktë publikun. "Si AA, ne po hapim një fushë të re ekspertize në botën mediatike me këtë projekt. Përveç kësaj, ne forcojmë vizionin e agjencisë sonë për të qenë një qendër trajnimi me Gazetarinë e Luftës dhe trajnime të tjera që ofrojmë nën ombrellën e Akademisë së AA-së", tha Karagöz.

Projekti, i cili do të krijojë një rrjet bashkëpunimi ndërkombëtar me anëtarë të medias nga Türkiye dhe Evropa, do të fillojë më 1 tetor 2024 dhe do të zgjasë deri më 30 shtator 2026./aa