Në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave, e cila është publikuar për konsultim publik propozohet rritje e taksës mbi pasuritë e paluajtshme.
Në këtë të strategjisë, propozohet të ndërmerren disa hapa, ndër të cilët hartimi i një ligji të ri “Për taksën e pasurisë”, rishikimi i përjashtimeve nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme, si dhe rishikimi në rritje i tarifës së taksës.
Në vitin 2018 u miratuan ndryshimet në skemën e taksimit të pasurive të paluajtshme, ndërtesa, duke kaluar nga taksa me kuotë fikse për m2, në taksën ad valorem pra me përqindje mbi vlerën e pasurisë së paluajtshme-ndërtesë.
Kjo reformë u shoqërua me krijimin e Kadastrës Tatimore dhe të Regjistrit të pasurive të paluajtshme ku evidentohen pasuritë e paluajtshme, pronarët, vendndodhja, vlera e pronës dhe të dhëna të tjera.
Po ashtu u vendosën disa përjashtime nga pagesa e taksës.
Nga vlerësimet paraprake, Ministria e Financave vëren se disa përjashtime duhet të eliminohen, si dhe ka hapësirë që të mund të rritet edhe norma e taksës së pronës.
Duke qenë se të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme përbëjnë burimin kryesor të të ardhurave të pushtetit vendor, sipas MF-së, është e nevojshme që përjashtimet të mbahen në nivele minimale dhe ndërkohë, lehtësirat tatimore për grupet vulnerabël duhet të ofrohen nëpërmjet mekanizmave dhe formave të tjera.
Aktualisht, taksa mbi pasuritë e paluajtshme në Shqipëri kontribuon në masën 0.3% të PBB-së, ndërkohë që të ardhurat mesatare që gjenerohen nga taksa e pronës në vendet e tjera të rajonit janë rreth 0.8% e PBB-së./ata