Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore, me mbështetjen financiare të SECO, çelën ekspozitën edukative “Money smart – Edukim financiar për të gjithë”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur në datat 13-28 qershor 2024, në lulishten përpara selisë qendrore nr. 2 të Bankës së Shqipërisë.
Brenda një peizazhi financiar në zhvillim të shpejtë, ku qasja në shërbimet financiare bëhet më e lehtë, ndërkohë që konsumatorët përballen me rreziqe të reja, kultura financiare është kthyer në një aftësi kyçe jetësore për individët.
Ekspozita mblodhi fëmijë të grupmoshave të ndryshme, të cilët mësuan, por edhe u argëtuan në këndet e artit, ku mësues arti i ndihmuan të krijojnë piktura apo skulptura duke përdorur kartëmonedhat e grira të Bankës së Shqipërisë, u bënë pjesë e kuizit interaktiv me çmime, bënë fotografi në kornizën tonë të fotografimit me një hashtag tërheqës, të lidhur me edukimin financiar për të inkurajuar shpërndarjen në media sociale dhe angazhimin virtual të aktivitetit; morën “Fortune Cookies” me thënie të shkurtra të personaliteteve botërore mbi paranë apo financat.
Të pranishmit u përshëndetën nga zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, dhe nga kryespecialistja e sektorit financiar në Grupin e Bankës Botërore, Oya Ardic.
Zëvendësguvernatorja Minxhozi u shpreh se bota e financave ka qenë gjithmonë një fushë e vështirë për t’u kuptuar nga publiku i gjerë, por rritja e produkteve dhe shërbimeve që ofron tregu e kanë kthyer në domosdoshmëri zotërimin e një niveli minimal kulture financiare për një vendimmarrje të informuar e që përfiton nga mundësitë e ofruara e që shmang rreziqet. E ndërgjegjshme për këtë, Banka e Shqipërisë prej vitesh investon në krijimin e një kulture financiare në shoqërinë shqiptare.
Ndërkohë, Ardic e vlerësoi edukimin financiar si gur themeli të një ekonomie të lulëzuar, duke fuqizuar individët të lundrojnë në kompleksitetin e një peizazhi financiar në zhvillim të shpejtë dhe për të shfrytëzuar shërbimet financiare për një mirëqenie afatgjatë./ata