SHBA ka njoftuar se po dërgon një “numër të vogël” forcash shtesë në Lindjen e Mesme pasi Izraeli rriti në mënyrë dramatike sulmet ajrore anembanë Libanit duke shkaktuar sulme hakmarrëse të pashembullta të Hezbollahut.
SHBA ka rreth 40 mijë trupa të stacionuara në rajon dhe zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Patrick Ryder, nuk specifikoi se sa forca të reja do të dërgohen.
"Në dritën e rritjes së tensionit në Lindjen e Mesme dhe për shkak të kujdesit të bollshëm, ne po dërgojmë një numër të vogël të personelit shtesë ushtarak amerikan përpara për të shtuar forcat tona që janë tashmë në rajon. Unë nuk do të komentoj apo jap specifika”, u tha Ryder gazetarëve.
Avionët luftarak izraelitë goditën Libanin gjatë gjithë ditës, duke goditur zona në jug dhe veri të vendit, në atë që Izraeli tha se janë sulme që synojnë të godasin objektivat e Hezbollahut.
Autoritetet libaneze thanë se të paktën 356 persona, përfshirë 21 fëmijë, janë vrarë, si dhe mbi 1.246 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.
Mijëra njerëz gjithashtu janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre duke u drejtuar drejt veriut.
“Agresioni izraelit është një skemë që synon të shkatërrojë fshatra dhe qytetet libaneze, si dhe të zhdukë të gjitha hapësirat e gjelbra”, tha kryeministri në detyrë i Libanit, Najib Mikati.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, tha se ushtria mund të shënjestrojë fshatra të shumtë libanezë që ndodhen deri në 80 kilometra nga kufiri.
Hezbollahu, nga ana e tij, tha se forcat e grupit hodhën dhjetëra raketa ndaj kompanisë izraelite 'Rafael Electronics', e cila është në veri të qytetit Haifa, si dhe ndaj selisë së rezervës së Korpusit Verior dhe bazës logjistike të Formacionit Galilee në kampin Ami'ad.
Kjo ishte hera e dytë që Hezbollahu shënjestroi objekte ushtarake në Haifa, pasi më herët të dielën lëshoi raketa në qytet.
Tensionet midis Hezbollahut dhe Izraelit janë rritur pas një sulmi ajror vdekjeprurës të premten e kaluar në periferinë jugore të kryeqytetit Bejrut, që vrau të paktën 45 persona, përfshirë fëmijë dhe gra, si dhe plagosi dhjetëra të tjerë.
Hezbollahu konfirmoi se të paktën 16 anëtarë të tij, përfshirë udhëheqësin e lartë, Ibrahim Aqil dhe komandantin e lartë, Ahmed Wahbi, u vranë në sulmin izraelit.
Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në një luftë ndërkufitare që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza, e cila ka vrarë të paktën 41.400 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar./aa