Raportuesja e posaçme e Kombeve të Bashkuara (OKB-së) për Palestinën, Francesca Albanese tha se "kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gënjen lidhur me deklaratën e tij se ushtria izraelite shënjestron vetëm Hazbollahun në Liban".
Albanese reagoi ndaj postimit të Netanyahut në X për popullin libanez, i cili pretendon se sulmet izraelite në jug të Libanit" "vënë në shënjestër vetëm Hezbollahun".
Duke cituar postimin në fjalë, Albanese tha: "Ashtu si palestinezët, edhe libanezët e dinë që ju gënjeni. Ashtu si palestinezët, edhe libanezët e dinë se lidershipi izraelit është i pandërgjegjshëm dhe i gatshëm të përhapë dhunën gjenocidale në të gjithë rajonin për të ruajtur pushtetin e tij dhe të avancojë axhendën e tij të kolonëve dhe kolonialistëve".
"Ashtu si palestinezët, edhe libanezët mund të pyesin veten pse nuk je ende në Hagë (për gjykim)", theksoi Albanese.
- Në sulmet e Izraelit në Liban humbën jetën 492 persona
Ushtria izraelite që nga mëngjesi i djeshëm ka kryer qindra sulme ajrore në qytetet jugore të Libanit si dhe në rajonet Beqaa dhe Baalbek.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulme kanë humbur jetën 492 persona, përfshirë 35 fëmijë dhe 58 gra dhe se janë plagosur 1.645 të tjerë. Ndërkohë nga rajonet jugore të vendit vazhdon vala e migrimit drejt kryeqytetit Bejrut dhe rajoneve veriore.
Ministria libaneze e Arsimit njoftoi se mësimi është pezulluar në të gjithë vendin ndërsa Ministria e Brendshme njoftoi se shkollat në jug të vendit janë hapur për të akomoduar qytetarët e zhvendosur si rezultat i sulmeve izraelite./aa