Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka mbajtur fjalimin e tij në Asamblenë e 79-të të Përgjithshme të OKB-së, ku ndër shumë çështje ndërkombëtare është fokusuar edhe në çështjen e Palestinës.
Erdoğan fjalimin e tij e filloi duke u fokusuar në çështjen e Palestinës, duke ftuar shtetet nuk e njohin Palestinën që “ta bëjnë atë sa më shpejtë duke qëndruar në anën e duhur të historisë në këtë periudhë kritike”.
“Në vitet e fundit OKB-ja ka qenë e pamjaftueshme në përmbushjen e misionit të saj themelues, duke u shndërruar gjithnjë e më shumë në një strukturë jofunksionale”, tha Erdoğan.
Si pasojë e sulmeve të Izraelit, tha Erdoğan, Gaza është shndërruar në “varrezën më të madhe të fëmijëve dhe grave në botë”.
“O ju institucione ndërkombëtare mediatike, vallë nuk janë kolegë tuaj gazetarët që Izraeli i masakron drejtpërdrejtë, i bastis zyrat e tyre”, u shpreh ai.
Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti pyeti: “Çfarë prisni për të parandaluar gjenocidin në Gaza, për t'i thënë ‘ndalo’ këtij persekutimi, barbarie?”.
Më tej, ai theksoi se ashtu siç Hitleri ishte ndaluar para 70 vitesh me aleancën e njerëzimit, edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu dhe rrjeti i tij i vrasjes duhet ndaluar me aleancën e njerëzimit.
“Çfarë prisni për të ndaluar rrjetin e masakrës që tërheq të gjithë rajonin në luftë për të ardhmen e tij politike?”, u shpreh ai.
Siç tha presidenti turk, administrata izraelite kryen spastrim etnik, gjenocid evident kundër një kombi dhe pushton tokat e tij duke shpërfillur të drejtat themelore të njeriut.
"Ashtu sikurse jemi kundër shënjestrimit të muslimanëve vetëm për shkak të besimit të tyre, në të njëjtën mënyrë ne jemi edhe kundër antizemitizmit", shtoi ai.
Ai theksoi se krijimi i një shteti palestinez të pavarur, sovran dhe gjeografikisht të integruar, me kryeqytet Kudsin Lindor, nuk mund të shtyhet më.
Lufta Rusi-Ukrainë
Lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, presidenti Erdoğan tha se, “Derisa lufta në Ukrainë po arrin në vitin e tretë, ne ende jemi larg paqes. Derisa gara e armatimeve përshpejtohet, hapësira e diplomacisë gradualisht po ngushtohet”.
Por, shtoi ai, “ne përsëri në këtë proces do të vazhdojmë ta zbatojmë me përpikëri Konventën e Ngushticave të Montreux-it”.
Qiproja
“Sot edhe një herë e ftoj komunitetin ndërkombëtar që të njohë e vendosë marrëdhënie diplomatike, politike dhe ekonomike me Republikën Turke të Qipros Veriore”, tha ai.
Sipas tij, barazia sovrane dhe statusi i barabartë ndërkombëtar i turqve qipriotë, që janë të drejtat e tyre të fituara, duhet të ri-regjistrohet dhe izolimi duhet të përfundojë./aa