Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar së fundmi një intervistë për “Financial Times” teksa ka diskutuar rreth ngjarjeve të fundit në Veriu, Dialogun dhe raportet me aleatët. Duke folur për çështjen e Urës së Ibrit që vazhdon të jetë e mbyllur dhe për qëndrimin e aleatëve për përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e saj, Kurti ka thënë se Kosova do një urë normale, dhe një urë normale është kur ajo është e hapur.

“Ne dëshirojmë një urë normale. Një urë normale është një urë e hapur, të vetmit që kënaqen me një urë të mbyllur janë ata që vazhdojnë të ëndërrojnë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Kurti për Financial Times.

Më tej ai shtoi se Evropa ka rrëzuar mure dhe se nuk është në rregull që të insistohet në mbajtjen e urës së Ibrit të mbyllur.

“Evropa ka rrëzuar mure. Nuk është në rregull që të insistohet në një urë të mbyllur”, shtoi ai.

Kurti gjithashtu foli edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën kryeministri i Kosovës është pajtuar në marrëveshjen e fundit Ohër-Bruksel. Marrwveshje e cila ka një presion të madh nga faktori ndërkombëtar për ta themeluar. Gjithashtu Asociacion kërkohet me ngulm edhe nga Beogradi zyrtar. Megjithatë Kurti ka thënë se s’mund të ketë një super minoritet serb në Kosovë ashtu siç dëshiron Beogradi.

“Unë nuk dua që askush të jetë i privilegjuar, gjithashtu s’dua që askush të jetë i diskriminuar. S’mund të ketë super-minoritet siç dëshiron Beogradi”, ka thënë Kurti për Financial Times./Dosja