Ushtria izraelite në orët e natës bastisi qytetin Tulkarm dhe kampin e refugjatëve Nur Shams në Bregun Perëndimor nën pushtim.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, forcat izraelite bastisjen e filluan duke vendosur fillimisht nën bllokadë kampin e refugjatëve Nur Shams.

Ushtria izraelite kreu bastisje ndaj shtëpive të shumë palestinezëve duke vendosur snajperë në çatitë e ndërtesave që rrethojnë kampin dhe në zonën e pyllëzuar përballë.

Njëkohësisht me bastisjen, ushtarët izraelitë kryen edhe fluturime zbuluese me mjete ajrore pa pilot (dronë). Gjatë bastisjes u arrestuan edhe disa palestinezë në qytetin Tulkarm dhe në kampin e refugjatëve Nur Shams.

Ndërkohë vihet në dukje se gjatë bastisjes u dëgjuan herë-herë shpërthime dhe përleshje të shkaktuara mes ushtarëve dhe palestinezëve. Forcat izraelite vazhduan të dëmtojnë rrugët dhe pronat private të palestinezëve me makineritë e punës dhe buldozerët që kishin sjellë me vete.

Në sulmet që zhvilluan me dronë më 17 dhjetor ndaj kampit të refugjatëve Nur Shams, forcat izraelite vranë 5 palestinezë. Ndërsa edhe në bastisjen e kryer më 19 tetor që zgjati për 30 orë, ata vranë 13 palestinezë, përfshirë 5 fëmijë.

Që nga 7 tetori kur filluan sulmet ndaj Gazës e deri më tani është shënuar rritje në bastisjet e kryera nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor./aa